Këtë të hënë janë regjistruar përplasje te hyrja e Kuvendit. Garda nuk lejoi deputetët e PD-së të futen brenda.
Bashkë me deputetët demokratë ishin dhe kolegët e tyre të përjashtuar. Bëhet fjalë për deputetët Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Saimir Korreshi dhe Lefter Gështenja të cilët janë përjashtuar nga seanca parlamentare pas incidenteve të njëpasnjëshme.
Ndërkaq, kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi ka kërkuar vendimin e shkruar se përse janë përjashtuar.
Gazment Bardhi: Më sillni vendimin e shkruar pse jemi përjashtuar.
Ervin Salianji: Po na jepni leje të dalim të marrim ajër, të pimë ndonjë kafe. Pasi vodhët gjithë Shqipërinë, po vidhni dhe godinat.
Albana Vokshi: Një shkresë po kërkojmë, ça po bëni?!
Bledion Nallbati: Hape derën!
Ervin Salianji: Kanë vënë rregull që hyn ai që ka vjedh.
Ndërkohë kryedemokrati Sali Berisha ka folur nga brenda rrethimit të Kuvendit. Ai e quan këtë skenë një akt të turpshëm të regjimit të Edi Ramës.
“Ky akt i turpshëm, nuk mund të ndalohen në zyrat e tyre, nuk mund të ndalohen të mblidhen me grupin e tyre. Ju bëj thirrje shqiptarëve që ndjekin këtë skenë, të kuptojnë se cili është regjimi i Ramës sot”, u shpreh Berisha.