Nga PREÇ ZOGAJ
Kryetari i PD- së, Lulzim Basha, bëri mirë që tha se propozimi i fundit i opozitës, që u jep ndërkombëtarëve një rol vëzhgues për kontrollin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nuk është gdhendur mbi gur… dhe se demokratët mirëpresim mendime të tjera për të shkuar drejt kompromisit përfundimtar. Kjo do të thotë se propozimi i ri nuk është i panegociueshëm, siç kanë qenë, me të drejtë, qëndrimet e mëparshme të PD-së për Byronë Kombëtare të Hetimit, për përfaqësimin proporcional në organet e reja të reformës e tjerë. Interesant është fakti se demokratët po deklarohen fleksibël për një çështje, për të cilën kanë argumente ligjore dhe politike të bollshëm për ta mbrojtur, siç e kanë propozuar vetë. Më shumë sesa kishin kur kërkonin vendet e rezervuara.
Është shumë e saktë në rrafshin juridikkushtetues ajo që tha Basha se “nuk mund të ketë kompetenca kushtetuese pa pasur llogaridhënie kushtetuese”. Është e vërtetë gjithashtu se nuk mund të ketë në asnjë instancë, vendëse apo të huaj, vendimmarrje të paankimueshme; gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund t’u mohohet në princip e drejta e rekursit gjyqësor nëse mendojnë se u janë shkelur të drejtat. Po aq i vërtetë është edhe fakti se zgjidhjet sui generis, me veshje ndërkombëtare, nuk kanë qenë kurdoherë të suksesshme në Shqipëri. Ka pasur abuzime dhe dështime të bujshme.
Me një listë të tillë argumentesh dhe me rekomandimin numër tetëdhjetë e tetë të Komisionit të Venecias në favor, që flet për një rol monitorues të ndërkombëtarëve, PD i ka letrat në rregull të reklamojë se po mbron kushtetutën e vendit, ndërkohë që të tjerët po mbyllin një sy. Pse atëherë ky deklarim fleksibiliteti nga opozita? Mendoj për disa arsye. E para, elementarja, kjo është një opozitë politike, nuk është një instancë e kontrollit të legjislacionit. Që do të thotë se është në misionin e saj jo vetëm për të zbatuar, por edhe për të prodhuar ligje dhe zgjidhje në funksion të reformave demokratike dhe qëllimeve të mira për vendin.
E dyta, në raport me reformën, kjo opozitë ka fituar përgjatë kohës, me mbështetjen e ndërkombëtarëve, disa beteja dhe të drejta, duke e çmontuar plotësisht projektin e Edi Ramës për kapjen e drejtësisë dhe duke fituar primatin në këtë ndërmarrje të madhe politike. Në këto kushte është e natyrshme që ajo të kujdeset të mos perceptohet sikur po e tepron. Teprimi me të drejtën e kalon të drejtën në krahun tjetër, kjo është e vjetër sa vetë civilizimi botëror. Opozita po kërkon tani ta avancojë propozimin e saj të fundit duke përdorur argumentet që ka, pa injoruar kundërargumentet e palëve të tjera që ajo i njeh patjetër. Cilët janë disa nga këto kundërargumente? Ai më me peshë ka të bëjë me “precedentin” e antikushtetutshmërisë. S’ka shumë kohë që me ngulmimin e PDsë, personalisht të zotit Basha, dhe me mbështetjen vendimtare të Uashingtonit e Brukselit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me konsensus ligjin e Dekriminalizimit.
Një prej dispozitave të këtij ligji historik i detyron palët të mos e ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese. Dekriminalizimi është një ligj antikushtetues në pikëpamje formale, por është bërë ashtu sepse nuk kishte rrugë tjetër për të ndaluar vërshimin e trafikantëve dhe vrasësve në institucionet e larta të shtetit; është bërë ashtu sepse ishte dhe është në të mirë të Shqipërisë. Ky rast na tregon se e mira nuk kalon domosdoshmërisht nga Kushtetuta, por edhe nga shmangia e saj. Rasti është shumë specifik, sigurisht, por precedenti mbetet precedent. Një reformë në drejtësi e drejtë, e thellë, pa virusin e traditës se keqe vendëse që e ka krijuar problemin në përmasat që ka, është po aq e rëndësishme, në mos më e rëndësishme se ligji i dekriminalizimit. Një kundërargument tjetër ka të bëjë me “bonusin” që mori PDja për përfaqësimin e barabartë me shumicën qeveritare në komisionin ad hoc të Kuvendit. Nga përfaqësimi proporcional që parashikon rekomandimi numër tetëdhjetë e tetë i Komisionit të Venecias u kalua, me ndërhyrjen e amerikanëve pranë palës qeveritare, te përfaqësimi i barabartë, akt që zgjidhi krizën që mbajti të bllokuar reformën për më shumë se një muaj. Ky mendoj se është agrimenti i pashkruar i xhentëlmenëve. Merr që të japësh. Merr me shumë se të takon, që të japësh atë që mund të mbash po të përdorësh lupën. Më thotë mendja se ky bonus i është dhënë PDse që ajo të mbyllë një sy për të çarat e vetingut në kuptimin puritanist të ligjit, në kushtet kur nuk ka qenë bërë e qartë publikisht nëse zërat për mosvotimin e vetingut nga ndërkombëtarët ishin mendime personale të disa deputetëve apo linjë zyrtare e Partisë.
Kjo nuk mund të mos krijojë një problem me bashkautorët e reformës, duke negociuar me ta për çështje të fundit që rezultojnë të parafundit. Një kundërargument i tretë ka të bëjë me faktin se diskutimi nuk mund të kthehet kaq thjeshtë në pikën nistore që mendohej e kopsitur: do ta bëjmë me bashkautorësi apo pa bashkautorësi ndërkombëtare këtë reformë?
Roli monitorues i ndërkombëtarëve ka rëndësi të madhe, por “nyja” e bashkautorësisë ka nënkuptuar e nënkupton diçka më shumë. Kjo nuk është diskutuar ndonjëherë ndryshe. Një deputet i LSIsë, që deklaroi se nuk do të votonte kontrollin nga ndërkombëtarët, u përjashtua menjëherë nga Ilir Meta. Së fundi, mospërputhjet ligjore nëpër të cilat duhet të kalojë vetingu nga një Komision Ndërkombëtar, edhe pse evidente, nuk janë aq flagrante. Bëhet fjalë para së gjithash për përzgjedhje kandidatësh që konkurrojnë, jo për mohim të drejtash në kuptimin e lirive dhe të drejtave universale të shprehura në Kushtetutë. Për çdo shkelje të këtij lloji, unë besoj se e drejta dhe mundësia e ankimit nuk suprimohet.
Nëse jo, kjo duhet të rregullohet. Llogaridhënia gjithashtu nuk mund të mbetet jetime sa kohë që, veç të tjerash, janë partnerët strategjikë në mes, është Uashingtoni zyrtar, Berlini zyrtar, pra një prani dhe një garanci pa precedent, që nuk ka të krahasuar me shembujt e kontratave korruptive që janë bërë nga qeveria “Rama” me kompani të huaja pa mbulim institucional zyrtar të shteteve nga kanë ardhur. Të gjitha këto arsye dhe të tjera, që mund të mos më kenë shkuar mua në mendje në këtë moment përcaktojnë në lidhjen e tyre fleksibilitetin e opozitës në xhiron finale të reformës. Një gjë është e vërtetë si drita e diellit. Shqipëria e ka nevojë jetike reformën me bashkautorësi amerikaneeuropiane. Në draftim dhe në zbatim. Kjo tani po kuptohet përditë, qartë e më qartë edhe nga qytetari më i thjeshtë. Opozita ndërkaq e ka dyfish në favor edhe në rrafshin e interesave strikte partiake. Në një anë do të forconte marrëdhëniet e shkëlqyera me Uashingtonin dhe Brukselin, në anën tjetër do të fokusohej menjëherë në një përballje elektorale fitimtare me palën qeveritare për ekonominë, rendin, krimin dhe korrupsionin, ku qeveria ka pikat e saj me të ulëta dhe më të dobëta. Me këtë vetëdije dhe duke dashur zgjidhje, opozita po kërkon të negociojë propozimin e saj për vetingun me partnerët dhe qeverinë.
Nëse ky propozim lejon përmbushjen e qëllimeve për të cilat po bëhet kjo reformë, në radhë të parë ndëshkueshmërinë në nivele të larta, që është handikapi nunër një i drejtësisë dhe demokracisë shqiptare, unë jam i bindur se amerikanët dhe europianët do ta pranojnë kështu siç është. Jo vetëm kjo reformë, por sa e sa nisma të tjera kanë treguar se partnerët tanë vënë përpara arsyen, jo paragjykimin. Kryeministri Rama ka sërish një rol të madh, kësaj radhe jo si bllokues, por si zhbllokues i zgjidhjes. Nuk ka vlerë të përdoret momenti për të demonizuar opozitën. Nëse propozimi vlen, le të bëhet marrëveshje dhe të shkohet në votim.
Nëse ka pjesë të mira, por nuk është i gjithi i mirë, le të merren pjesët e mira dhe të diskutohet për pjesët e tjera. Duhet parë me kujdes a ka interes dhe vullnet nga ndërkombëtarët të qëndrojnë në rolin e vëzhguesve, duke qenë në këtë rast të refuzuar në njëfarë mënyre nga legjislacioni dhe opozita shqiptare për një rol më angazhues. Duhet parë për zgjidhje të tjera që tejkalojnë ngërçin në respekt të palëve. Një mundësi mund të ishte miksimi i komisionit të monitorimit me një prani vendëse dhe ndërkombëtare, duke adresuar saktë çështjet e llogaridhënies. Nuk ka propozim racional që të mos konsiderohet nga amerikanët, me kusht që të mos paralizojë fuqinë vepruese të reformës. Amerikanëve dhe europianëve nuk ka çfarë u duhet sovraniteti ynë. Ne na duhet prania e tyre, ne na duhet integrimi në familjen e kombeve të lira. Sovraniteti ndaj SHBAve është pa sens nga çdo pikëpamje që ta shohësh. Në çdo kohë, qëkurse shteti ynë në pelena mbijetoi falë tyre e derisa Kosova u bë e pavarur falë tyre. Ca më shumë është pa sens kjo në kontekstin e kuptimeve të reja që ka marrë sovraniteti në kuadrin e proceseve integruese.
Le që nuk po na e kërkon njeri, të mos e bëjmë mizën buall. Emërimin e gjyqtarëve e vulos votimi i dymbëdhjetë deputetëve të komisionit ad hoc dhe mandej votimi i dy të tretave të Kuvendit të Shqipërisë. Opozita ka punuar shumë për zgjidhjen duke e korrigjuar ndjeshëm dhe pozitivisht reformën. Ajo duhet ta çojë deri në fund investimin e saj. Aty ku zgjidhja gjen një pengesë, tani që Kryeministri Rama e ka nxjerrë veten e tij nga qerthulli i akuzave për sabotim të reformës, opozitës i shkon të lëshojë. I shkon të lëshojë pikërisht aty ku mund të këtë më shumë të drejtë. Kjo është monedha e shkëmbimit, monedha e vogël e shkëmbimit dhe akti i mirëbesimit ndaj miqve amerikanë në radhë të parë. Kemi detyrime të pashlyeshme ndaj këtij vendi të madh mik.
Askush nuk na kërkon t’i shlyejmë, por i mbajmë në mirënjohjen dhe dashurinë tonë. Askush s’po na kërkon një borxh, por duan të na ndihmojnë si miq dhe aleatë në sfidën e re vendimtare të shpërbërjes së oligarkisë dhe sundimit të ligjit demokratik. Është një ëndërr e madhe që nuk e realizojmë dot vetëm. Fati na ka dhënë miq të fuqishëm për ta arritur.
Nuk do të më hiqet nga mendja skena me ambasadorin amerikan javë të shkuara, duke numëruar para mediave disa nga shërbimet e mëdha që SHBAtë i kanë bërë në histori kombit tonë. Atëherë përcetova një thellësi të re të arsyeve dhe angazhimit amerikan për të reformuar drejtësinë e vendit të vogël mik. Para këtyre arsyeve marrin formë mendimet, qëndrime dhe emocionet tona. Çfarë vjen nga Uashingtoni, ka qenë dhe mbetet e mirë për Shqipërinë. Skarcitetet shoqëruese janë hequr e korrigjuar gjithmonë rrugës. Kështu edhe me Reformën në Drejtësi. Duhet të negociohen detajet e fundit, duhet përmbyllur si reformë shqiptaroamerikaneeuropiane për t’i dhënë pas kësaj një “po” patriotike, siç tha në mënyrë kuptimplotë zëvendëssekretarja Nuland në Tiranë.
Marrë nga Panorama.