Po shoqërohet me debate seanca e sotme plenare, ku deputetët e opozitës u ndalën te moszhvillimi i seancës parlamentare javën e kaluar. Përveç kësaj deputeti i PD Tritan Shehu tha se Spiropali ka shkatërruar anën proceduriale të Kuvendit. Ai tha se duhet të kalojë shpejt në Kuvend nisma, ku njihen vetëm dy gjini, mashkull dhe femër.
Ndërsa, Spiropali u shpreh se opozita flet për të drejtat e njeriut, por se nuk i njeh ato.
“Zonja kryetare, po shkatërroni anën proceduriale të parlamentit. Parlamenti nuk mbyllet kur nuk është kryetari i Kuvendit. Kemi sjellë në parlament nismën për të njohur vetëm dy gjini, mashkull dhe femër dhe po e zvarrisni për të mos e sjellë në parlament. Po dëmtoni rëndë familjen e shoqërinë, po krijoni iluzione të gabuara, te ata që duan të godasin moralin e shoqërisë njerëzore. Të kalojë ligji për njohjen vetëm të dy gjinive. Të kalojë ligji menjëherë në dy seancat që kanë mbetur. Po godisni familjen. Miratoni atë ligj”, u shpreh deputeti Tritan Shehu.
Nga ana e saj kryetarja e Kuvendit, Spiropali tha: “Të gjitha nismat janë në kalendar. Kryetarët e komisioneve shqyrtojnë nismat. Po flisni për të drejtat e njeriut, që nuk i njihni”.