Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar një takim në selinë e PS-së me grupin e dytë të aplikantëve në platformën digjitale “Deputeti që duam”.
Gjatë fjalës së tij, Rama është ndalur te vështirësitë që një i ri mund të haset në rrugën e politikës.
Sipas kryesocialistit, politika është një arenë e cila ka shumë baltë.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:
“Duke qenë kështu, Shqipëria ka humbur shumë kohë. Kaq e vërtetë është kjo saqë nëse reforma që ne kemi ndërmarrë pothuajse 25 vjet pas fillimit të të jetuarit tonë në liri, të ishin ndërmarrë 10 apo 15 vjet, sot do të ishim shumë më përpara. Nga ana tjetër, është e vështirë që të merresh me politikë dhe për këtë arsye dua t’ju përgëzoj edhe me pak papërgjegjshmërinë organike dhe natyrale të një njeriu në moshë të re, ju e keni hedhur këtë hap duke marrë përsipër të provoni të hyni në një arenë ku ka shumë baltë. Nëse ktheni kokën rreth e rrotull shumica s’do tju thotë bravo.
Të ka lënë mendja të merresh me ata horra, hajdutë, kriminelë, të droguar etj. Fatkeqësisht ky është një perceptim që është dominant mbi të gjitha te njerëzit që në fakt kanë marrë më shumë nga ky vend dhe duhet të japin më shumë. Nuk është një perceptim dominant te shumica e njerëzve të zakonshëm që përpiqen të arrijnë më lehtë fundin e muajit. Kanë dhe ata paragjykime për politikën por në fund janë ata që bëjnë këtë vlerësim që na mban ne në krye të detyrës për atë që kemi bërë. Pavarësisht se përpjekja e anës tjetër është thotë se e gjitha kjo është e lidhur me të tëra të zezat e kësaj bote”, tha Rama.