Policia e Durrësit ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së ndodhur në Hamallaj, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar, gjatë një konflikti për parkimin e një automjeti.
Mësohet se janë vënë në pranga dy shtetas dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Janë sekuestruar dy armë të ftohta (thika) dhe prova shkencore që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së ngjarjes.
“Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Hamallaj, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. L., 37 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
A. S., 18 vjeç, banues në Borakë, Shijak, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
A. L., 44 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
S. L., 21 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në fshatin Hamallë Sektor, Njësia Sukth, Durrës, në zonën e bregut të detit Adriatik, shtetasi A. L., 37 vjeç, në bashkëpunim me vëllanë e tij A. L., 44 vjeç, si dhe nipin e tij S. L., pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin L. R., që lidhej me parkimin e automjetit përpara zonës së plazhit të A. L., 37 vjeç, konflikt i cili fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas duke përdorur armë zjarri që e mbante pa leje, ka tentuar të vrasë shtetasin L. R., 28 vjeç, banues në Kolesjan, Kukës.
Nga të shtënat, 28-vjeçari ka pësuar dëmtime shëndetësore dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën sende të forta si bishta druri të përdorur në konflikt.
Në vijim të punës për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit të arrestuar A. S., u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale dy thika, të cilat ai i mbante pa leje.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e të dyshuarve të shpallur në kërkim”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.