Adoleshenti, i cili mëngjesin e së premtes plagosi shokun e klasës brenda ambienteve të shkollës “Mustafa Hoxha” në Cakran, ka mbërritur në ambientet e gjykatës. Ai pritet të njihet me masën e sigurisë pasi dy ditë më parë u vu në pranga për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.
Autori 17-vjeçar vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe nuk dihet nëse ky detaj do të merret në konsideratë nga togat e zeza.
Sipas dëshmisë së të plagosurit, konflikti ka nisur një muaj më parë pas postimit të disa fotove në rrjetet sociale. Ndërsa autori pritet që në dëshminë e sotme të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë që tronditi mbarë opinionin publik.
Kujtojmë se adoleshenti e goditi shokun e klasës 4 herë me thikë. Vetë i mituri i plagosur ka rrëfyer se shpëtoi falë ndërhyrjes së mësueses.
“Ai më qëlloi në shpatull dhe në këmbë. U shmanga, u futa brenda në klasë mbylla derën, por nuk e mbaja dot mbyllur për shkak të shpatullës. Në ato momenti erdhi mësuesja dhe më shpëtoi nga ai djali”, tha i dëmtuari.
Kjo ngjarje vjen një muaj pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit M.C dhe plagosjes së shokut të tij, nga një 14-vjeçar në afërsi të shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, ku sërish motiv u bë përshkallëzimi i një konflikti të nisur në rrjetet sociale.