Një 30-vjeçar, pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet në fushën e narkotikëve në Spanjë, është arrestuar nga policia në Vlorë.
30-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë, me vendimin e datës 1 shkurt 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Grup kriminal” dhe “Mashtrim në fushën e energjitikës”, parashikuar nga legjislacioni penal spanjoll.
Ai akuzohet si pjesëtar i një grupi kriminal në Spanjë, që merret me kultivimin e marijuanës. Ky grup ka përdorur shtëpi dhe ndërtesa industriale për kultivimin e kësaj bime dhe shtetasi Xh. H. dyshohet si personi që merrej me transportimin e materialeve dhe kultivimin e plantacioneve.
Në total, ky grup kriminal llogaritet se ka vjedhur vazhdimisht energji elektrike, duke i shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit spanjoll.
Materialet iu referuan Prokuorisë, për veprime të mëtejshme.