Këshilli i Ministrave ka dërguar kërkesën në Gjykatë Kushtetuese për çështjen Balluku.
Katër janë kërkesat e qeverisë në dokumentin e firmosur nga Kryeministri Rama, i cili si fillim kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet tij dhe qeverisë që ai drejton nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga ana tjetër.
Kushtetuesja në këtë rast do të duhet të sqarojë nëse një gjykatë mund të pezullojë një anëtar qeverie, duke qenë se propozimin e ministrave Kushtetuta ia njeh si ekskluzivitet Kryeministrit.
Në kërkesë argumentohet se ky është një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.
Pasi të sqarojë mosmarrëveshjen e kompetencave, Qeveria kërkon nga Gjykata shfuqizimin e vendimit të GJKKO për masën ndaj Ballukut, vetëm për pjesën e pezullimit të saj nga detyra e zv. kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Masa tjetër e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit nuk ankimohet.
Deri në këtë vendim përfundimtar, Këshilli i Ministrave kërkon që Kushtetuesja ta pezullojë fuqinë e vendimit të GJKKO dhe Balluku të rikthehet menjëherë në pozicionet e saj.
Në fund Këshilli i Ministrave kërkon një interpretim fundor nga ana e Gjykatës Kushtetuese të pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës i cili thotë se “Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit”.
Në argumentimin e shkurtër në objektin e kërkesës së depozituar në Gjykatë Kushtetuese qeveria thotë se “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal”. Pra që neni 242 i Kodit të Procedurës që thotë se pezullimi nga detyra nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, të zbatohet edhe për ministrat.
Për këtë kërkesë Kushtetuesja ka caktuar relator të çështjes anëtarin e saj Sandër Beci, ndërsa pritet një shqyrtim me urgjencë për shkak të rëndësisë së veçantë, sidomos të vendimit të ndërmjetëm për pezullimin e efekteve të vendimit të GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut.
Objekti i ankimimit të qeverisë:
Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. 2. Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GjKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. 3. Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. 4. Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.”














