Presidenti kolumbian, Gustavo Petro thotë se ekziston një kërcënim real ushtarak i SHBA-ve kundër Kolumbisë.
Petro deklaroi se Shtetet e Bashkuara po i trajtojnë kombet e tjera si pjesë të një “perandorie” amerikane. Deklarata e Petros, vjen pasi Trump kërcënoi Kolumbinë se mund të ndërhyjë ushtarakisht.
Trump dhe Petro zhvilluan një bisedë telefonike të mërkurën në mbrëmje, pas së cilës presidenti amerikan tha se do të takohej me homologun e tij kolumbian në Shtëpinë e Bardhë.
Por të enjten, toni i Petros la të kuptohej se marrëdhëniet nuk ishin përmirësuar ndjeshëm.
Presidenti Trump shpesh e ka fajësuar emigracionin për krimin dhe trafikimin në SHBA, duke e përdorur atë për të justifikuar operacionet e zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë, dhe ka akuzuar vende si Kolumbia dhe Venezuela se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të luftuar trafikimin e drogës.
Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan ka dërguar agjentë të ICE-së në qytete anembanë vendit. Agjencia zbaton ligjet e imigracionit dhe kryen hetime për imigracionin pa dokumente. Ajo gjithashtu luan një rol në largimin e emigrantëve pa dokumente nga SHBA-ja.

















