Administrata Tatimore ka identifikuar disa individë që mashtrojnë bizneset duke u prezantuar si punonjës tatimorë, megjithëse nuk janë të punësuar në strukturat e Administratës Tatimore.
Për këtë arsye, Administrata Tatimore ka publikuar disa elemente dalluese në mënyrë që bizneset të mos bien pre e mashtrimit.
Në një njoftim për mediat Administrata Tatimorë bën me dije se pronarët e bizneseve duhet të kenë parasysh që punonjësit e Tatimeve mund të identifikohen me anë të badge-it, që përmban emrin, mbiemrin, foton, pozicionin e punës dhe emërtimin e drejtorisë.
Po ashtu, nga urdhri i punës i firmosur nga drejtuesi i Drejtorisë përkatëse dhe uniformat dalluese me mbishkrimin: Administrata Tatimore.
Administrata Tatimore i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të bëjnë kujdes nëse përballen me persona të dyshimtë, që nuk i kanë elementet si më sipër, të mos lejojnë futjen e tyre në ambjentet e biznesit si edhe të denoncojnë menjëherë në kanalet e komunikimit të Administratës Tatimore: [email protected], [email protected], [email protected], si edhe të kontaktojnë Qendrën e Thirrjeve, numrin e gjelbër: 08000002.