Në qarkun Kerr të Texasit, familjet vazhdojnë të kërkojnë me dëshpërim vajzat e tyre mes rrënojave, automjeteve të përmbysura dhe baltës, pas një përmbytjeje të papritur që shkaktoi rritjen e shpejtë të nivelit të lumit Guadalupe deri në 8 metra brenda 45 minutash.
Sipas asaj që raporton Corriere della Sera, në kampin veror Camp Mystic, ku vajzat nga 8 deri në 17 vjeç kalonin kohën duke u lidhur me natyrën dhe duke forcuar miqësinë, 25 vajza u shpallën të zhdukura. Aktualisht, 11 prej tyre vijojnë të jenë të pa gjetura, ndërsa janë gjetur disa trupa pa jetë.
Babai i njërit prej fëmijëve të zhdukur, Michael Mçoën, tregon se nuk e ka humbur shpresën dhe vazhdon kërkimet përgjatë bregut të lumit. Autoritetet kanë angazhuar helikopterë dhe dronë për shpëtim dhe kërkim, ndërsa mbi 850 persona janë shpëtuar deri tani.
Guvernatori i Texasit, Greg Abbott, ka premtuar punë të pandërprerë për gjetjen e të zhdukurve dhe ka kërkuar lutje nga qytetarët për viktimat dhe për shpëtimtarët në terren. Po ashtu, presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur gjendjen e katastrofës në këtë zonë për të siguruar ndihma të menjëhershme.
Numri i viktimave ka shkuar të paktën në 82, përfshirë 21 fëmijë. Mes tyre është edhe drejtori i kampit, Richard Eastland Sr., i cili vdiq duke u përpjekur të shpëtonte vajzat.
Zona e quajtur “rruga e përmbytjeve të papritura” tashmë përballet me sfidën e rindërtimit, por shumë banorë dyshojnë në mundësinë e një fillimi të ri për shkak të rrezikut të vazhdueshëm.

















