Dhuna dhe depresioni janë shkaktarët kryesor të përkeqësimit të shëndetit mendor të grave në Shqipëri. Sipas një raporti të fundit, një rol negativ ka patur edhe pandemia e Covid-19 në popullatën shqiptare.
Të dhënat e ekspertëve të shëndetit publik bëjnë me dije se rreth 70 % e grave kanë raportuar depresion kryesisht gjatë izolimi të pandemisë së Covid-19.
Ndërsa tek meshkujt kjo shifër arrin në 57%.
Për ekspertët ka një dallim midis depresionit të diagnostikuar dhe depresionit real të raportuar nga popullata për shkak të shkallës së ulët të përdorimit të shërbimeve shëndetësore, e ndikuar më së shumti nga paragjykimi i madh gjate pandemisë së Covid-19.
Ndërsa referuar dhunës, rreth 1/3 e grave në Shqipëri kanë raportuar se kanë përjetuar një formë të dhunës në familje.
Shumica e grave kanë përjetuar dhunë psikologjike, e ndjekur nga dhuna fizike ose seksuale.
Sipas raportit, këto probleme të shëndetit mendor janë shfaqur më së shumti tek personat me arsim të ulët, por raste janë konfirmuar pothuajse në çdo grupmoshë./ Tv Klan