PD ka nisur përgatitjet për protestën e 11 korrikut, e cila do të zhvillohet para Kryeministrisë në orën 20:00. Ashtu siç u dakordësua në mbledhjen e Këshillit kombëtarë, demokratët po punojnë në terren për të mobilizuar sa më shumë qytetarë për tubimin.
Këtë të martë kanë qenë vetë në terren Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka dhe Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi. Ata janë takuar me qytetarë dhe biznese në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë.
Gjatë bashkëbisedimit, Noka dhe Bardhi shpërndanin fletushka me moton, “Të bashkuar në betejë”. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së dhe Kryetari i Grupit Parlamentar, iu bënë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në protestën e thirrur nga opozita për të ngritur zërin dhe për të rrëzuar qeverinë “Rama”.