Një ndeshje për t’u kualifikuar në finalen e Champions dhe për të synuar fitimin e trofeut të parë. Paris Saint Germain ka një takim me historinë. Parizienët nisen nga avantazhi 1-0 i ndeshjes së parë me Arsenalin, teksa optimizëm ka prej rikuperimit të Osman Dembélé.
“Ky është viti i dytë i rritjes së ekipit, jo vetëm në pjesën e futbollit. Në këtë drejtim kemi bërë hapa të rëndësishëm dhe synojmë të përmirësohemi. Dembélé është gati. U stërvit normalisht”, tha Luis Enrique.
Arsenali kërkon përmbysjen e madhe, edhe sepse beson që diferencat në fushë janë të vogla.
“Jemi entuziastë dhe kemi energji pozitive. Jemi një fitore larg finales së Champions. Kemi ardhur të shkruajmë historinë. Preferojmë të flasim në fushën e lojës”, tha Arteta.
Cilësia dhe ëndrrat e dy skuadrave premtojnë një tjetër sfidë spektakolare në Paris, duke nisur prej orës 21:00.