Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Përbindëshi!

2016/02/11 at 8:20 PM
në Aktualitet, Komente, Te Fundit
Kohë leximi: 10 min
A A
Përbindëshi!

Nga Andrea Stefani


Nuk më pëlqyen zërat që sulmuan Rudina Xhungën vetëm sepse intervistoi Nexhmije Hoxhën, të venë e diktatorit Enver Hoxha. Ngaqë binin ndesh me lirinë e gazetarit për të intervistuar këdo dhe për gjithçka. Ishin në kundërshtim edhe me lirinë e shprehjes së njeriut, bënin thirrje për një selektivitet dhe censurë që, sikundër replikoi me të drejtë Xhunga, do na shpinte prapa “në kohën e Nexhmijes”.  Por tani që intervista është bërë dhe publikuar, kam lirinë time si gazetar, të ngre disa kritika lidhur me përmbajtjen e saj.

***

Mendoj se intervista nuk ja arriti qëllimit gazetaresk, madje dukej se nuk e kish fare atë qëllim, për t’ia bërë të pamundur gruas së ish-diktatorit të mos flasë për ato të fshehta që ajo nuk dëshiron të dalin sheshit. Përkundrazi, Hoxha edhe pse bashkëpunëtorja më e ngushtë e diktatorit në sundimin e tij të përgjakur, u shfaq e rehatuar për të folur e folur pa fund, për gjëra nga më të rëndomtat në jetën e diktatorit dhe “familjes së shenjtë” të tij, duke na treguar sesi Enver Hoxha paska qenë një bashkëshort dhe baba shembullor, një shok besnik madje edhe një patriot e shkëlqyer. Disa nga këto, nuk ka pse të mos jenë të vërteta. E megjithatë, bashkëshort apo baba i mirë?! Pak nga diktatorët nuk kanë qenë baballarë të dashur. Gjë që nuk shpreh fare thelbin e tyre si diktatorë. Sepse diktatorët nuk shquhen se hanë fëmijët e tyre por se hanë baballarët e fëmijëve të tjerë. Ndërsa kanë të shenjtë familjen e tyre, nuk kanë të shenjtë njeriun si njeri. Por a nuk është edhe një bishë e dhembshur me krijesat e veta? Madje, ajo shqyen të tjerët pikërisht sepse do të ushqejë fëmijët e saj. Sa për të tjerat, për “shok i mirë” (me aq e aq bashkëluftëtarë të ekzekutuar dhe burgosur) apo “patriot” (me Shqipërinë e izoluar dhe të llucosur në kënetën e varfërisë edhe pas 45 vjetësh së udhëhequr nga ai) diskutimi mbetet hapur.

***

E di, e di, do kërcejnë të përmendin fabrikat, hidrocentralet, analfabetizmin e shumë të tjera nga inventari i arritjeve të diktaturës. Por cila diktaturë nuk u shqua për transformime materiale? Kush mund të thotë se diktatura musoliniane nuk solli zhvillim në Itali? Po ajo e Hitlerit në Gjermani? Po ajo e Frankos në Spanjë? Në pikëpamje materiale, jo pak nga diktaturat kanë qenë zhvillimore. Por problem i tyre, krimi i tyre i madh, është gjymtimi i njeriut në thelbin e vet, që është liria e tij. Shqipëria vazhdon të vuajë edhe sot e kësaj dite nga ky gjymtim. Prandaj “demokracia” e saj është anemike. Sepse kur ke vrarë lirinë në shpirtin qoftë edhe të një gjenerate, ke bërë një investim të lig që, të paktën për një periudhë afatmesme, toleron për vendin ose kaos ose shtrëngim. Por jo demokraci dhe liri.

***

Dhe pikërisht këtë duhet të synonte intervista, të zhbirilonte atë ADN antiliri të sistemit diktatorial,  instalimin e të cilit udhëhoqi Enver Hoxha, por që e shtyu edhe vetë Enverin dhe të tjerët, Nexhmijen bashkë me ta, në krime të përbindshme “në emër të popullit”. Madje që e bëri edhe vetë “popullin” (me duartrokitjet, solidaritetin, unitetin rreth Enverit, me urrejtjen për armikun e klasës), bashkëpunëtor të këtyre krimeve. Pse jo, të tentonte të diskutonte edhe revizionimet enveristo-staliniste të marksizmit që çuan në terrorizmin shtetëror të diktaturës së “proletariatit” në Shqipërinë e vogël dhe të prapambetur që, në të vërtetë, nuk pati kurrë proletariat.

***

Intervista nuk e arriti fare këtë. Një shans i humbur për ta bërë ish-bashkëshorten e diktatorit shqiptar të ndihej në vështirësi përballë të vërtetës. Më kujtohet që, vite më parë, kur u përmbys diktatori Milosheviç, një gazetar i BBC më duket, intervistoi bashkëshorten e tij Mirjana Markoviç. Por pyetjet e gazetarit ishin aq zhbiriluese dhe pa kompromis, si vetë e vërteta, sa Markoviç u ndje aq keq, sa u ngrit duke e lënë intervistën në mes.

***

Kjo nuk ndodhi me Nexhmije Hoxhën. Ajo e përfundoi intervistën e qetë, e kënaqur, si një pronare biznesi që reklamon mallin e saj të shkëlqyer, që në rastin e zonjës Hoxha, ishte diktatura. Madje dha të kuptohej se do të qe në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve që ta rikthejnë sa më shpejt atë.

***

E di fare mirë që kaosi, keqqeverisja dhe korrupsioni i këtyre më shumë se dy dekada tranzicion, kanë bërë që të ringrihet aspirata për një dorë të fortë, për një “Mesia” që do ta shpëtonte Shqipërinë duke “bërë shtet”. E rrjedhimisht, ka rilindur edhe një nostalgji për diktatorin Enver Hoxha që “dinte të bënte shtet”. Por e vërteta është se Enveri nuk dinte të bënte shtet, në kuptimin e shtetit me liri dhe të drejta njerëzore të mbrojtura në radhë të parë nga kërcënimi qeveritar. Ai dinte të bënte diktaturë, shtet pa liri e të drejta të mbrojtura. Një shtet ku vetë qeveria (në fakt partia) shpallej si mbrojtëse e të drejtave. Por kjo është t’i varësh mëlçitë në qafë të ujkut. Njerëzit krijojnë qeverinë për t’u mbrojtur nga kaosi por edhe sistemin e pavarur të institucioneve për t’u mbrojtur nga qeveria. Enver Hoxha nuk e lejoi këtë.

***

Prandaj intervista duhet të kërkonte pse-në e këtij deformimi si rrënjë e të gjithë krimeve që ndodhën më pas. Në të kundërt,  e veja e diktatorit, pati rast të shprehte besimin se do të vijë një ditë që figura e Enverit do të ringrihet. Dhe është fakt, si për paradoks, që sa më shumë i largohemi momentit të rënies së diktaturës, aq më shumë po shtohen nostalgjitë dhe shanset për rehabilitimin e saj. Periudha 25 vjeçare e post-diktaturës ka aktivizuar gjithë llumin e ekseseve të shoqërisë së pashëndetshme shqiptare që diktatura i ndrydhte e maskonte por nuk i eliminonte dhe që, mjerisht, po e drobitin shansin e demokracisë. Por në çastin e ringritjes së Enverit, do të jetë ringritur edhe diktatura dhe aspirata e lirisë së njeriut (them aspiratë se sistemin e lirisë nuk e kemi themeluar akoma) do të jetë varrosur në Shqipëri. Turmat, të lodhura nga kaosi dhe mungesa e drejtësisë (gjendje që e përflasin gabimisht si liri), do duartrokasin shpëtimtarin apo shpëtimtarët.  Erih From (Erich Fromm) e quante të gjithë këtë proces që këmbëngul të përsëritet, arratisje nga liria. Në Shqipëri ky proces, që tashmë ka nisur, është arratisje nga kaosi dhe një padrejtësi rrumpallë për të kërkuar shpëtim të një padrejtësi tjetër, por me rregull.

***

Nuk ka asgjë profesionale, nga këndvështrimi gazetaresk, dhe të merituar, nga këndvështrimi njerëzor, t’i japësh shans të vesë së diktatorit të flasë, sipas modelit të Krupskajas që rrëfente se arnonte çorapet e Leninit, vetëm për virtytet e Enverit, për shembull, thjeshtësinë apo kursimtarinë e tij. Intervista duhej të konfliktonte arsyen e lirisë së njeriut me “arsyen” e diktaturës dhe diktatorit për ta ekzekutuar njeriun. Ajo duhet të vinte në balancë arsyen biofile për jetën nga njëra anë, me “arsyen” nekrofile të diktaturës në anën tjetër .

***

Por fatmirësisht, atë që nuk e tentoi intervista e bëri, si padashje, vetë Nexhmije Hoxha. E nxitur nga nevoja për t’i bërë avokatinë bashkëshortit të saj diktator, ajo la të kuptohet kalimthi se, për sa i përket ekzekutimeve të atyre që i quante kundërshtarë, Enveri i ka bërë jo se donte të bënte keq por se nuk mund të bënte ndryshe, se e detyronte e mira e popullit.  Dhe sqaron se Enveri “…në të gjithë vendimet më të vështira, si ekzekutimet për shembull ose dënimet, i ka bërë si një burrë shteti, i detyruar të bëjë detyrën, por në shpirt, në formim, në ndjenja ai ishte shumë i prekshëm, shumë i ndjeshëm dhe mund t’i vuante, por ai e kish vendosur dhe ishte i kalitur në këtë drejtim” – tha zonja Hoxha.

***

Pohimi na zbret në atë labirinth të errët të shpirtit njerëzor, në atë Ferr ku gatuhen racionalizimet, justifikimet që rreken të përligjin deri krimin më të përbindshëm që është vrasja e njeriut nga njeriu. Për herë të parë e veja e diktatorit pranon se ishte Enveri që merrte vendimet për ekzekutimet apo dënimet dhe jo, si në çdo shtet normal, një gjykatë. Kjo nuk është, as më shumë dhe as më pak, se të pranosh që gjithçka funksiononte sipas parimit të mbretit diell “shteti jam unë”! E veja e diktatorit ka bërë një pohim që rikonfirmon tezën se rrënja e krimeve në diktaturë, mbi të gjitha e vrasjeve, duhet kërkuar në zhdukjen e pushtetit të pavarur të drejtësisë, në bashkimin e pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ në një dorë të vetme. Në rastin konkret në dorën e Enver Hoxhës. Ky bashkim, që në një farë mënyre vazhdon edhe sot e kësaj dite në Shqipëri është, për të drejtat dhe liritë e njerëzve, për të drejtën e jetës, të pronës apo të fjalës, shkatërrues dhe shfarosës ashtu siç është vrasës për jetën, bashkimi i dy gjysmave të atomit që shkakton reaksionin zinxhir bërthamor.

**

Por më e “bukura” shihet në justifikimin e ekzekutimeve apo dënimeve të njerëzve. Enveri nuk i paska dashur ato, se ishte i butë dhe i dhembshur por qe shtyrë t’i bënte nga “arsyeja e shtetit” që qenka e pakuptueshme nga arsyeja njerëzore. I bie që sado e paarsyeshme të na duket vrasja e njerëzve nga një diktaturë, prapë nuk kemi të drejtë ta quajmë krim sepse ajo qenka bërë bazuar në “arsyen e shtetit” që është e pakapshme për ne, thuajse një noumenë kantiane, që vetëm të zgjedhur si Enver Hoxha kanë aftësinë e mbinjerëzore ta rrokin. Dhe të marrin përsipër misionin e vrasjes së njerëzve për të mirën e njerëzve! Është harruar të thuhet se “arsyeja e shtetit” ishte arsyeja e diktaturës dhe e diktatorit.

***

Nexhmije Hoxha na jep të kuptojmë edhe se duke vrarë e prerë armiqtë e partisë dhe të popullit, diktatori paska bërë një sakrificë të madhe, ka sakrifikuar dhembshurinë, ndjeshmërinë e tij. Se Enveri  vuante kur bënte ekzekutime por megjithatë, sqaron e veja e tij, “ai e kishte vendosur ishte i kalitur (mirë që s’thotë i katilur apo katilosur) në këtë drejtim”. Por pikërisht këtu ka një kundërthënie. Ose diktatori qe i kalitur dhe nuk vuante ose qe i dhembshur. Dhe ai që është i dhembshur nuk mund të vrasë. Qoftë dhe në emër të popullit.

***

Gjithsesi, termi i “kalitur” është mjaft i saktë. Dhe sipas këtij opsioni, Enveri e kish kalitur zemrën siç kalitet çeliku (kemi kultin e të fortit fare mbi atë të arsyes) e kish çelnikosur, stalinizuar zemrën. Prandaj, edhe nuk vuante më kur vriste i vetëdijshëm se e bënte “për të mirën e Shqipërisë dhe të popullit”, vriste si “burrë shteti” (pse mu kujtua 21 janari?!) vriste nga “halli”. Pikërisht këto janë racionalizimet që na bëjnë ta quajmë të drejtë aktin më të padrejtë në këtë botë, marrjen e jetës së një krijese njerëzore. Këto janë racionalizimet që na shndërrojnë në përbindësha duke maskuar me gjoja interesin e përgjithshëm, gjithë ligësinë, egotizmin, epshet dhe makutërinë tonë për pushtet. I vendosur dhe u kalitur për të vrarë?! Të më falin admiruesit e Enverit (që në fakt janë viktima që nuk po i kurojnë dot gjymtimet që ju ka lënë në mendësi koha e tij) por kjo është ekzakt të pranosh se Hoxha ka qenë transformuar në një përbindësh.

***

Mos ekzagjerova gjë kur thashë “përbindësh”? Aspak! Sepse a nuk është në natyrën e një përbindëshi që të hajë njerëz? Dhe diktatura komuniste e bëri këtë. A nuk ka një përbindësh shumë koka, shumë duar e këmbë? Enveri kishte një “popull” të tërë që i marrosur pas kultit të tij, të fuste thonjtë në fyt për diktatorin. Se përbindëshi ishim edhe NE, ushtruesit e pafajshëm të keqes banale masive(Arendt), qemë gjymtyrë të panumërta të atij Leviathani që zakonisht brof nga kaosi i luftës a rrëmujës dhe premton të vendosë rregullin dhe sigurinë.

***

Diktatura është përbindshëzimi i një shoqërie. Forca lëvizëse e saj nuk është liria por frika. Në “Pallatin e Endrrave” të Kadaresë, Ebu Qerimi apo Mark Alemi, ngurron ta seleksionojnë si të pavlefshme dosjen e një ëndrre. Pse? Vetëm nga frika. Sepse po sikur kontrolli i ëndrrave të pavlefshme të zbulojë se ajo dosje fshihte një ëndërr armiqësore? Mekanizmi i frikës i vendos njerëzit në një rrethanë që edhe po të mos e duan diktaturën, të jenë të detyruar ta mbrojnë atë. Ndryshe e pësojnë keq. T’i mund të mos e shash regjimin por nëse këtë bën dikush pranë teje dhe nuk e denoncon, rrezikon të akuzohesh për bashkëpunëtor në veprimtari armiqësore. Sepse, po sikur ai që shau rrëgjimin të qe një provokim i vetë regjimit? Ky është përbindshëzimi i marrëdhënieve njerëzore në një diktaturë. E keqja bëhet sa banale aq edhe totale.

***

Gjithsesi, avokatia e Nexhmije Hoxhës për diktatorin është thelbësisht e njëjtë me ato të përdorura nga të gjithë vrasësit për të justifikuar krimet e tyre, për të thënë se ato janë bërë në emër të së drejtës, të një të mire dhe se prandaj, janë të justifikueshme. Të paktën për kohën. Asnjëherë nuk do të arrijmë të neverisim krimin e vrasjes së njeriut madje, do ta justifikojmë duke rrezikuar të përsëritet (21 janari), nëse nuk e shqyrtojmë nën optikën e lirisë së njeriut dhe të drejtës së tij për jetën. Pa këtë optikë, të gjithë krimet do përligjen me “arsye” shtetërore, patriotike, fetare, kombëtare. Diktatura do gjejë justifikimin dhe jo dënimin e vet historik duke mbetur model dhe aspiratë. Aq më tepër në rrethanën e një thuajse demokracie që në këto 20 e kusur vjet, ka qenë më shumë një anarki e maskuar me shtet. Dhe anarkia, gjendja e natyrës, të paktën sipas Hobsit (Hobbes), gëlltit edhe ajo njerëz. Madje më shumë se diktatura. Bulldogu i anarkisë është më i keqi e të gjithëve (Kipling). Mungesa e shtetit në këto 2 dekada po bën të njëjtën gjë në Shqipëri. Po gëlltit pa fund jetë dhe shpresa njerëzore. Një kaos dhe antishtet që nuk mund të mos jetë një atmosferë mjaft e përshtatshme për rikthimin e përbindëshit “shpëtimtar”! Nuk është fare rastësi që nostalgjia për ish diktatorin dhe diktaturën përjeton një baticë.

 

Dhe nëse do vazhdojnë në këtë rrugë, nëse vazhdojmë të justifikojmë e racionalizojmë krimet e diktaturës si të mira apo të pashmangshme “për kohën” apo si “arsye shtetërore”, nuk do të vonojë edhe ajo kohë do të kthehet prapë. Pikërisht ajo “koha e Nexhmijes” – që thotë edhe Rudina Xhunga në një replikë të saj. Diktatori do të ketë sigurisht një emër tjetër, madje edhe një parti tjetër. Por Enveri sigurisht do të ringrihej përsëri në piedestal. Ashtu siç uroi dhe profetizoi e veja e diktatorit në lamtumirën e saj për shqiptarët. Sepse, mjerisht, edhe për shumë kohë, mbi rruzull do të ketë njerëz si ajo, që edhe në vdekje do të jenë me “enverët”!

 

 



Ju sugjerojmë

Trump arrin në Arabinë Saudite, nis turneun në Lindjen e Mesme
Bota

Trump arrin në Arabinë Saudite, nis turneun në Lindjen e Mesme

13 Maj, 2025 5:00 pm
KAS pranoi kërkesën e PS, reagon PD-ja: Votat e Greqisë janë të manipuluara
Kryesore

KAS pranoi kërkesën e PS, reagon PD-ja: Votat e Greqisë janë të manipuluara

13 Maj, 2025 4:50 pm
KZAZ merr vendimin pas debatit të Shehajt, votat e ‘Mundësisë’ shpallen të vlefshme
Aktualitet

KZAZ merr vendimin pas debatit të Shehajt, votat e ‘Mundësisë’ shpallen të vlefshme

13 Maj, 2025 4:40 pm
Presidenti i KE: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE para vitit 2030
Aktualitet

Presidenti i KE: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE para vitit 2030

13 Maj, 2025 4:15 pm
Costa: Dialogu me Kosovën, kyç për rrugën evropiane të Serbisë
Rajoni

Costa: Dialogu me Kosovën, kyç për rrugën evropiane të Serbisë

13 Maj, 2025 4:05 pm
Fitorja më e thellë e PS në Fier, Elbasan dhe Gjirokastër
Aktualitet

Fitorja më e thellë e PS në Fier, Elbasan dhe Gjirokastër

13 Maj, 2025 3:52 pm
Shpallja e pavlefshme e votave të “Mundësisë”,tensionohet situata te ‘Sami Frashëri’
Aktualitet

Shpallja e pavlefshme e votave të “Mundësisë”,tensionohet situata te ‘Sami Frashëri’

13 Maj, 2025 3:33 pm
Samiti në Tiranë/Rama ‘i drejtohet’ Skënderbeut: Do mblidhen në sheshin tënd o Mbret
Aktualitet

Samiti në Tiranë/Rama ‘i drejtohet’ Skënderbeut: Do mblidhen në sheshin tënd o Mbret

13 Maj, 2025 3:14 pm
QUINT-Klasës politike në Kosovë: Status quo-ja aktuale nuk i sjell dobi askujt
Rajoni

QUINT-Klasës politike në Kosovë: Status quo-ja aktuale nuk i sjell dobi askujt

13 Maj, 2025 2:56 pm
KAS pranon kërkesën e PS-së: Nuk do të ketë veçim të votave të Greqisë!
Aktualitet

KAS pranon kërkesën e PS-së: Nuk do të ketë veçim të votave të Greqisë!

13 Maj, 2025 2:49 pm
Para
Sonte në “Opinion”/ Deri ku do të shkojë rebelimi i Ben Blushit?

Sonte në "Opinion"/ Deri ku do të shkojë rebelimi i Ben Blushit?

Ja bima që zgjat jetën

Ja bima që zgjat jetën

Fotolajm/ Kur Ben Blushi lexon ‘Opinion.al’ në Parlament

Fotolajm/ Kur Ben Blushi lexon 'Opinion.al' në Parlament

Please login to join discussion















TE FUNDIT

Trump arrin në Arabinë Saudite, nis turneun në Lindjen e Mesme

Trump arrin në Arabinë Saudite, nis turneun në Lindjen e Mesme
13 Maj, 2025

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mbërriti në kryeqytetin saudit, Riad, më 13 maj, duke shënuar fillimin...

Lexo më shumë

KAS pranoi kërkesën e PS, reagon PD-ja: Votat e Greqisë janë të manipuluara

KAS pranoi kërkesën e PS, reagon PD-ja: Votat e Greqisë janë të manipuluara
13 Maj, 2025

Partia Demokratike reagoi pas vendimit të KAS që pranoi ankimimin e Partisë Socialiste për të mos veçuar numërimin e votave...

Lexo më shumë

KZAZ merr vendimin pas debatit të Shehajt, votat e ‘Mundësisë’ shpallen të vlefshme

KZAZ merr vendimin pas debatit të Shehajt, votat e ‘Mundësisë’ shpallen të vlefshme
13 Maj, 2025

Pas situatës të tensionuar në KZAZ nr. 40 në Tiranë, ku përfaqësuesit e Partisë “Mundësia” kontestuan pavlefshmërinë e disa fletëve...

Lexo më shumë

Presidenti i KE: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE para vitit 2030

Presidenti i KE: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE para vitit 2030
13 Maj, 2025

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa tha se Shqipëria dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE edhe përpara...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com