Policia e Beratit ka hartuar planin e posaçëm të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë pelegrinazhit në malin e Tomorrit.
Ky plan ka si objektiva: parandalimin e aksidenteve rrugore, garantimin e qarkullimit të lehtësuar të përdoruesve të akseve rrugore të qarkut, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në malin e Tomorrit, i cili do të zhvillohet gjatë periudhës 18-25 gusht.
Në zbatim të këtij plani masash, janë planëzuar shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë në malin e Tomorrit, si dhe në ambientet e jashtme të objektit të kultit në këtë mal.
Detyrat e parashikuara në këtë plan masash do të kryhen nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me FNSH Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, organet e pushtetit vendor, PMNZSH–në, spitalin rajonal të Beratit dhe me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
-Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të malit të Tomorrit (drejt teqesë) do të jetë: “Hyrja e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi i Uznovës – Kryqëzimi i Plirëzit – Teqeja e Kulmakut”.
-Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga mali i Tomorrit (nga teqeja) do të jenë: “Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – Rruga kryesore ‘Antipatrea’ – Rrethrrotullimi i Kombinatit”; “Teqeja e Kulmakut – Novaj – Bogovë – Poliçan – Uznovë – Rruga kryesore ‘Antipatrea’ – Rrethrrotullimi i Kombinatit”.
-Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohen të përdorin aksin rrugor “Çorovodë – Gjerbës – Teqeja e Kulmakut” dhe anasjelltas.
-Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë – Berat”, ”Ura Kuçit – Dimal – Berat”, “Pobrat – Dimal – Berat”, ”Berat – Mali i Tomorrit”, ”Berat – Çorovodë” dhe ”Çorovodë – Gjerbës – Mali i Tomorrit” nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë, nga ora 06:00 deri në orën 24:00, gjatë të gjitha ditëve të pelegrinazhit.
-Autobusët, furgonat me mbi 8 shtetas dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut – Mali i Tomorrit”.
-Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.
-Gjithashtu, janë të ndaluara qëndrimi dhe pushimi i mjeteve. Drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë, për vendet ku do të lejohet qendrimi dhe parkimi i mjeteve.
Përmes këtij njoftimi ju sjellim në vëmendje zbatimin rigororoz të rregullave të qarkullimit rrugor, respektimin e limiteve të shpejtësisë, mosdrejtimin e mjetit në efektin e alkoolit, evitimin e përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe përdorimin e rripit të sigurimit.
Gjithashtu, informojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që do të marrin pjesë në këtë pelegrinazh, se në të gjitha akset rrugore dhe në ambientet përreth teqesë së Kulmakut, 24 orë dhe deri në përfundim të pelegrinazhit, do të ketë prezencë të shërbimeve të Policisë, të cilat do t’ju asistojnë dhe do t’ju japin ndihmë, në çdo rast nevoje.