Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit ka bërë një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të rishqyrtuar 30 vota në KZAZ 35 në njësinë 5 në Tiranë, që në tabelat e rezultatit përfundimtar paraprak i janë regjistruar një partie tjetër.
KQZ tha se kjo mund të ketë ndodhur si pasojë e një gabimi të sistemit elektronik. Po sipas, KQZ një numër i tillë nuk ndryshon ndarjen e mandateve të deputetëve të Tiranës.
Kërkesa e PDIU-së nuk do të konsiderohet një ankimim, pasi në Drejtorinë e të Dhënave në institucionin kryesor të zgjedhjeve, çdo procesverbal me rezultatet e dërguara nga të gjitha KZAZ, kontrollohet për parregullsi, raporton TCH.
Një ditë më parë ish-deputetja Mesila Doda foli për 16 raste kur janë bërë gabime me votat e PDIU në Tiranë dhe sipas saj, rivendosja e saktë e të dhënave rikthen mandatin për kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.