Partia Demokratike ka reaguar sërish sot në lidhje me Klemend Balilajn, drejtorin e Transporteve në Sarandë, i cili sipas tyre është në kërkim nga Policia greke për trafik droge.
Ndërkohë që ai vetë i përgënjeshtroi këto akuza, PD-ja e akuzon sërish, jo vetëm atë, por edhe ministrin Tahiri se po e mbron.
REAGIMI I PD
Mbrojtja që Saimir Tahiri dhe drejtues të Policisë së Shtetit i bëjnë Klement Balilaj, i dyshuari si një nga krerët e organizatës kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, u faktua sot ndërsa Balilaj bën shoë mediatik nga zyrat publike të drejtorisë së Transportit në Sarandë, ndërkohë që është shpallur në kërkim nga policia greke.
Të njëjtën gjë pohon edhe seksioni grek i CNN në lajmin me titull: “Mbrojtje politike për baronin e kartelit të Ballkanit”, ku i referohet një takim dypalësh mes policisë greke dhe asaj shqiptare. Përfaqësuesit e policisë shqiptare, siç raporton CNN janë dorëzuar duke thënë se “në Shqipëri nuk mund ta prekim sepse ky person ka lidhje me parti politike dhe kontakte me politikanë të nivelit të lartë”.
Lidhjet e Sajmir Tahirit me trafikantët dhe mbrojtja që u jep përmes emërimit të të besuarve të tyre në poste të larta të Policisë së Shtetit është prova më e fundit për inkrimininim e qeverisë Rama. Sot nuk dihet ku fillon qeveria e mbaron krimi, ku fillon krimi e mbaron qeveria.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të veprojë pa humbur kohë për të çuar para drejtësisë drejtuesit e kësaj organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike por edhe mbështetësit e tyre në poste kyçe në Policinë e Shtetit dhe në qeveri.