Partia Demokratike ka publikuar platformën e saj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat sipas saj, duhet të jenë të lira, të ndershme dhe demokratike.
“Zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë vazhdimisht një çështje problematike me rëndësi themelore politike për konsolidimin e demokracisë dhe janë element thelbësor i kriterit politik për antarësimin në BE.
Zhvillimi i zgjedhjeve me standarte të larta ishte pjesë kryesore e prioriteteve që duheshin përmbushur nga Shqipëria në kuadër të marrjes së statusit të Vendit Kandidat. Plotësimi i këtij kriteri në vitin 2013 hapi rrugën për propozimin e Komisionit Europian në tetor 2013 dhe marrjen e statusit në vitin 2014.
Përkeqësimi dramatik i standarteve në vitin 2015 e kthen çështjen e zgjedhjeve në prioritet politik themelor. Partia Demokratike e pozicionon këtë reformë në krye të reformave bashkarisht dhe në të njëjtin nivel me reformën në drejtësi. Faktori ndërkombëtar është i interesuar për monitorimin e procesit të reformës zgjedhore, zbatimin e ligjit nga autoritetet shtetërore dhe vëzhgimin e zgjedhjeve të viti 2017”, thuhet në platformën e PD-së