Partia Demokratike përmes kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj u shpreh se një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Fushë-Arrës, pasi është ndaluar me forca operacionale, vëllai i kryetarit të Bashkisë, Albert Tuci, person me precedent penal, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge me 7 vite burg është lëshuar sërish me ndërhyrjen e deputetit socialist Pjerin Ndreu.
“Policia e Fushë-Arrësit nuk ka pasur dijeni, është shmangur nga ky aksion, për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që i dyshuari ka në këtë Bashki.
Pasi është mbajtur disa orë më pas në komisariatin e Pukës, Tuci ka fituar lirinë, me ndërhyrjen e deputetit Pjerin Ndreu.
Dhe pas kësaj, një festë e madhe është zhvilluar në lokalin në qendër të Fushe-Arrësit, me dolli pa fund për deputetin Ndreu i cili i hoqi prangat të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë.
Partia Demokratike e konsideron këtë ndërhyrje të paligjshme të deputetit Ndreu, si dëshmi e dy standardeve, e favorizimit të njerëzve në pushtet”, tha Alibeaj
Sipas PD-së ligji nuk vepron ndaj mikut të deputetit, ndaj vëllait të kryetarit të Bashkisë.
“Ky ndalim i ligjit para njerëzve të lidhur me pushtetin dhe me deputetët e Edi Ramës, është në fakt oligarkia. Çdo qytetar pa njohje, pa lidhje, do të ishte mbajtur në burg e do të ishte dënuar, qoftë edhe për një tullë të vënë pa leje.
Ndërsa njeriu i deputetit të Ramës, edhe pse i dyshuar për vepra të rënda, edhe pse i ndaluar me forca speciale, fiton menjëherë lirinë pas ndërhyrjes së oligarkëve.
Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të hetojë rastin, e të nxjerrë para përgjegjësisë deputetin e Edi Ramës dhe ata që urdhëruan lirimin e të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë së Fushe-Arrësit”, theksoi Alibeaj.