0055- Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca është penguar të futet brenda Spitalit të Traumës për të takuar të lënduarit, mes tyre dhe Sahit Dollapi. Ajo ka debatuar me efektivët që ishin vendosur në hyrje të spitalit, ndërsa pas shumë negociatave është lejuar. Në një deklaratë për mediat ajo tha se pamjet filmime mbi arrestimin e zotit Sahit Dollapi ishin të tmerrshme dhe të paprecedenta.
00:25-Sahit Dollapi, sekretari organizativ i Partisë Demokratike është dërguar në spital. Kjo konfirmohet nga burime të policisë, pas arrestimit të tij të dhunshëm. Por për shkak të reagimit tepër të ashpër të protestuesve, të cilët për minuta të tëra rrethuan Drejtorinë e Policisë Tiranë, i gjithë Spitali i Traumës është rrethuar nga forca të shumta policore.
00:18-Lulzim Basha: Do marrim vendimet pas shpalljes së luftës nga Edi Rama për popullin e tij. Ju kërkoj mirëkuptimin për kohën që na duhet për të marrë vendimet, se si do vazhdojë beteja jonë. Do vazhdojë deri sa ti japim fund qeverisë së lidhur nga krimi. Ju jeni ushtria demokratike, shpresa e vetme që ky vend bëhet si gjithë Europa. Zoti iu bekoftë ju, Liri, Demokraci!
00:00-Partia Demokratike ka thërritur një mbledhje urgjente në seli, ku do të marrin pjesë anëtarët e kryesisë së partisë, ata të grupit parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve.
23:40 – Protestuesit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike duket se nuk kanë ndërmend të largohen nga Drejtoria e Policisë deri në lirimin e Sahit Dollapit
23:10-Policia është përpjekur të largojë disa prej protestuesve që qëllonin me gurë në drejtim të saj, duke i ndjekur nëpër rrugicat e lagjes pranë Drejtorisë së Policisë, duke u konfrontuar me disa prej tyre, por edhe me ish-deputeten e PD, Albana Vokshi.
23:00- ILIR META: Situata para Drejtorisë së Policisë është absurde. Sahit Dollapi duhet të shoqërohet për në spital për të marrë ndihmën e parë për lëndimet dhe jo të mbahet në polici
22:50-Autoboti me ujë shpërndan protestuesit e mbledhur tek drejtoria e Policisë së Tiranës. Përplasje të forta, protestuesit hedhin gurë
22:43 – Protestuesit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike thonë që do të qëndrojnë te Drejtoria e Policisë deri në lirimin e Sahit Dollapit, sekretarit organizativ të PD, të shoqëruar më parë.
“Turma, nga momenti në moment mund të dalë nga kontrolli. Ne nuk mund t’i bëjmë thirrje njerëzve tani për qetësi, kur jemi të shqetësuar për një nga përfaqësuesit tanë që është marrë nga policia private e Edi Ramës”, tha Ervin Salianji.
22: 40-Edi Rama dhe Ilir Meta reagojnë sërish
Edi Rama: Respekt për trupat e Policisë së Shtetit që me profesionalizmin e tyre nderuan uniformën e shtetit përballë një turme të udhëhequr nga dëshpërimi i politikës qorre. Shërim të shpejtë për policët e plagosur dhe ndëshkim për dhunuesit e tyre e për zjarrvënësit e institucioneve
Ilir Meta: I bëj thirrje sërish të gjithë individëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe Policisë së Shtetit të ruajë qetësinë dhe të evitojë përdorimin e panevojshëm të dhunës ndaj protestuesve.
22:35-Tensione dhe tek drejtoria e policisë së Tiranës. Policia ka përdorur sërish gaz lotsjellës
22:20-Situata sa vejan dhe rëndohet. Me arrestimin e Sahit Dollapin, sekretari organizativ i PD-së, duket se opozita nuk do të ndalojë. Basha bëri thirrje që protestuesit të shkojnë tek Drejtoria e Policisë së Tiranës.
22:00-Ish-deputetja Albana Vokshi është shtyrë nga efektivët e policisë. Ajo ka shkuar tek hyrja e Kuvendit për të marrë informacion, ndërsa efektivët e kanë shtyrë duke ushtruar dhunë e më pas e kanë larguar.
Ajo foli për mediat teksa tha se kishin arrestuar një nga zyrtarët e PD-së, Sahit Dollapin, sekretari organizativ i PD-së.
Në pamjet televizive u fokusua kur mbi 10 forca të ndërhyrjes së shpejtë vunë në mes zotin Dollapi në hyrje të derës së Kuvendit duke ushtruar dhunë.
21:50-Monika Kryemadhi duke folur për mediat: Jam shumë e lodhur nga ndërkombëtarët jam shumë i lodhur nga ata. Nuk e di nëse çdo bënin ndërkombëtarët nëse fëmijët e tyre do helmoheshin me gaz. Boll luajtën me shqiptarët.
21:40- Ambasada Amerikane: Ambasada e SHBA dënon dhunën e pranishme gjatë protestës së sotme. Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje.
21:40-Ndërhyjnë Forcat Speciale. Gaz lotsjellës dhe 2 autobotet e ujit të policisë kanë ndërhyrë.
21:35-Reagon sërish Meta- Presidenti i Republikës, Ilir Meta u bën sërish thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunshme dhe nga individët, të cilët rrezikojnë policët.
21:30– Katër persona mësohet se janë arrestuar, pasi mendohet se janë pjesë e atyre që kanë hedhur bomba molotov gjatë protestës së opozitës në drejtim të Kryeministrisë dhe Parlamentit.
21:25-Situata përpara Parlamentit i ngjan një skene lufte. Gaz lotsjellës, molotov dhe fishekzjarr. Protestues që vrapojnë për të shpëtuar nga gazi, të tjerë që sulmojnë policinë me fishekzjarr. Brenda rrethimi të xhamisë së Namazgjasë ka zjarr. Disa nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë dalë në aksion për të shpërndarë turmën.
21:10-Nis përplasja dhe tek Parlamenti. Breshëri me shishe molotovi në drejtim të dyerve të Kuvendit. Policia iu është përgjigjur me gaz-lotsjellës në seri.
21:00 –Teksa po lëvizte në këmbë drejt Parlamentit, Lulzim Basha ka folur për mediat. Ai tha se “populli shqiptar i përket Europës e çdo përpjekje për ta larguar nga Evropa do të ketë betejën më të vendosur“.
20:40 –“Të gjithë pas liderit të opozitës”, me këto thirrje ish-deputeti demokrat Flamur Noka zhvendosi protestën nga Kryeministria tek Parlamenti
20:35 –Edi Rama: “Çfarë trishtimi një lider opozite që me zë të ikur i thotë qeverisë “Aman ik!”, ndërkohë që ata rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj! Uroj që kujt vete ende pas kësaj politike qorre, t’i jetë hapur sonte syri nga zjarri që qeverisë s’ka ç’i bën,po Shqipërisë i bën veç dëm”,
20:26 – Është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve pranë godinës së Kryeministrisë për të shuar flakët e ndezura aty nga hedhja e bombave molotov. Shishet e qelqit, të mbushura me benzinë dhe kapsolla bëjnë që flakët të jenë edhe më të mëdha në momentin e shpërthimit.
20:13 – Tensionohet përsëri situata në krah të lulishtes pas godinës së Kryeministrisë. Disa prej protestuesve hodhën bomba molotov duke i vënë flakën edhe disa tendave, ndërsa policia është kundërpërgjigjur menjëherë duke hedhur gaz lotsjellës.
Ora 20: 10–Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës: Kjo ndodh kur shikon shume episode “Game of Thrones” dhe e vetmja alternative qeverisëse te duket zjarri i dragoit! Nisen si te dhunshëm, përfunduan si telendare! Tirana nuk thyhet nga nje stan me lepuj! Puna, jo dhuna; e drejta, jo e liga; e mira, jo rrugaceria – kjo triumfon!
Ora 20: 00 “Liri a vdekje, deri në fund. Demokraci e vdekje! Më këto fjalë e mbylli fjalën e tij kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Pasi ndezën dhe dritat e telefonave turma nisi të zhvendosej për të rrethuar Kryeministrnë, ndërsa nisën dhe përplasjet. Policia përdor gaz lotsjellës.
Ora 19: 45- Lulzim Basha: Asnjë prej nesh këtu nuk ka ardhur të lëndojë e të prekë asnjë prej vëllezërve dhe motrave tona me uniformë. Qëllimi ynë këtu është të dërgojmë një mesazh të prerë dhe final kryehajdutit, kryebanditit në krye të qeverisë s ëpaligjshme, Edi Ramës dhe skotës së tij të hajdutëve. Dhe mesazhi ynë për të është “Rama ik”.
Ndaj le të vazhdojmë miqtë e mi qëndresën tonë, misionin tonë, protestën tonë, sepse misionin tonë nuk ka forcë që ta ndalë.këtë betejë ne nuk e bëjmë për pushtet, këtë betejë ne nuk e bëjmë për parti, këtë betejë ne nuk e bëjmë për karrige, këtë betejë nuk e bëjmë për mandate. Mandatet tona ishin të vetmet mandate të pastra nga krimi dhe paratë e drogës, por ne ua kthyem qytetarëve
Ora 19: 43- Reagon presideni Meta: “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.
Ora 19: 37- Reagon Sandër Lleshaj: Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!
Ora 19: 30- Policia hedh gaz lotsjellës
Ora 19: 25-Luzlim Basha: Jemi sot në një udhëkryq të tmerrshëm produkt i një njeriu dhe klanit të tij të babëzitur, ndaj jemi këtu për ti dhënë një mesazh të prerë: Nuk të lëmë më të bllokosh rrugën drejt Europës. Rama ik! 6 vite e gjysmë të sundimit kriminal të Ramës e kanë lënë Shqipërinë jashtë europës, vendi i vetëm në botë pa gjykatë kushtetuese. Sot drejtësia shqiptare është më e kapur se kurrë, kjo është vepra e zezë e Edi Ramës dhe bandës së tij kriminale. Rama ik! Të çlirojmë Shqipërinë nga zgjedhjet me krimin dhe kriminalet. Është sot detyra më e lartë patriotike, parakushti për të hapur rrugën e bllokuar të Europës. Pa euro nuk ka shpëtim. Kjo rrugë nuk mund të hapet sa që krimi është ulur në tryezën e kabinetit qeveritar.
Ora 19:23 – Policia ka marrë urdhër të hidhet gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, si dhe të përdoret autoboti për të shuar flakët e krijuara nga hedhja e shisheve me benzinë në drjetim të Kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit. Ndërkohë që para turmës po flet lideri i opozitës, Lulzim Basha, oficerët e policisë janë pajisur të gjithë me maskat kundërgaz për t’u përgatitur, ndërkohë që i bëhet thirrje protestuesve që të mos hedhin bomba molotov.
Ora 19: 15-Përplasje mes policisë dhe protestuesve. Zjarr para Kryeministrisë. Disa protestues kanë hedhur bomba molotov dhe i kanë vënë flakën derës së Kryeministrisë dhe godinës së kryesisë së Kuvendit, ndërsa të tjerë janë përleshur me policinë për të çarë rrethimin.
Ora 19: 10-Monika Kryemadhi: Kam një mesazh për Edi Ramën, duhet të kuptojë se me ata njerëz aty në shesh, për një sekondë zyra e tij pushtohet. Do jetë shumë me keq për të, nëse qytetarët do të hynë në zyrë. Ndaj duhet t’iu jap zgjidhje të lira dhe të ndershme atyre.
Ora 19:05 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga disa studentë nga vendet e Bashkimit Europian, pjesëtare të forumeve rinore të Partive Popullore Europiane, i bashkohet protestuesve në bulevard.
Ora 18: 45-Sheshi përpara Kryeministrisë është duke u mbushur me protestues të shumtë. Po ashtu kanë nisur edhe hedhjet e tymueseve, apo dhe boja në drejtim të Kryeministrisë.
Protestuesve iu janë bashkuar edhe pjesëtarë të Aleancës për Teatrin, një grup aktivistësh dhe artistësh të cilët kundërshtojnë projektin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re.
Ora 18: 30- Përpara Kryeministrisë ka nisur mbledhja e protestuesve, në protestën e 4 kombëtare të opozitës kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Kërkesat e opozitës mbeten të njëjta, largimi i kryeministrit Rama dhe qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk ka ende një skenar se si do të zhvillohet protesta e opozitës, ndërsa është folur se do të zgjasë deri në mesnatë.
Video/ Nga sheshi i protestës këta fëmijë tërheqin vëmendjen
18:00 –Përpara Kryeministrisë, aty ku do të zhvillohet protesta e opozitës aktualisht ka një numër të lartë efektivesh policie si dhe gazetarë që do ndjekin live protestën. Por 30 minuta përpara nisjes së marshimit opozitar, ajo që na bëri përshtypje ishin dy fëmijë të vegjël, që të shoqëruar nën rrimet te muzikës dhanë shfaqjen e tyre në kërcim. E madje ia arritën të tërhiqnin vëmendjen e gazetarëve dhe njerëzve që ishin në Bulevard.
Mbështetësit e opozitës nisen nga rrethet, tensione në Berat
Mijëra mbështetës të opozitës janë nisur nga qytete të ndryshme të vendit për t’iu bashkuar protestës së opozitës para godinës së Kryeministrisë, që pritet të nisë në orën 18:30.
Informacionet e para bëjnë me dije se katër protestues të PD-së nga Berati janë shoqëruar në polici për motive ende të panjohura. Protestuesit e ndaluar janë shtetasit me iniciale R.S., K.S, M.B. dhe Xh.Xh.
Opozita proteston, policia blindon institucionet
Sot opozita do të zhvillojë protestën e saj të katërt të madhe, që pas dorëzimit të mandateve parlamentare. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masat për tubimin që do të mbahet përpara godinës së kryeministrisë. Mësohet se prej mbrëmjes së ditës së premte, efektivët e Tiranës kanë kaluar në gatishmëri, ndërsa në terren sot do të jenë 1,200 policë, duke përfshirë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA.
Gjithashtu, do të sigurohet me forca policie edhe godina e Parlamentit, duke qenë se në të shkuarën protestuesit janë zhvendosur nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit në zonën përreth Parlamentit. Ndërkohë, nga opozita nuk është publikuar ende një plan se çfarë do të ndodhë në protestën e sotme./Opinion.al