Partia Demokratike ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe deputetin Koço Kokëdhima për vizitën dy ditore që zhvilluan në jug të vendit.
Zëdhënësja, Ina Zhupa u shpreh se Kokëdhima synon që të marrë kalanë e Porto Palermos dhe kjo është arsyeja që objektet e trashëgimisë kulturore do të jepen me qira.
Zhupa bëri me dije se Rama vazhdon propagandën në Jug për të mbështetur Kokëdhimën, kur në fakt deputeti i Vlorës është më i urryeri nga të gjithë.
Deklarata e zëdhënëses së PD Ina Zhupa
Edi Rama gjatë një vizite dy ditore në Jug të vendit, ka tentuar tu shesë banorëve të bregut një mall të prishur, që askush nuk e blen më.
Qytetaret e Jugut, të Fierit, të Vlorës, Sarandës, e më gjërë e dinë se propaganda e Ramës është një tallje e tipit, biri im, pasi e vërteta është se qeveria e tij, në jetën e tyre, në lagjen e tyre, ka vetëm një kuptim; Si të pasurohet më shumë Koço Kokëdhima. Pasi ka shtënë në dorë çdo vend pune, çdo tender, çdo licensë, çdo tokë e truall, çdo plazh, çdo burim fitimi, me dekret të posaçëm të Edi Ramës, Koço po bëhet gati të fusë në kthetra dhe kalanë e Porto Palermos, dhe kjo është arsyeja pse ministria e kulturës vendosi ti japë me qira këto objekte të trashëgimisë kulturore.
Në mbarë vendin qytetarët janë të revoltuar për korrupsionin, hajdutërinë e Edi Ramës dhe oligarkëve të tij.
Por në veçanti, më i urryeri nga të gjithë, të majtë e të djathtë e të paparti, mbetet Kokëdhima i Ramës, për babëzinë që ka shfaqur, për të pasur një dorë kudo, nga pastrueset e deri tek ministritë, gjithnjë duke ndjekur pasurimin e tij të pafre.
Qytetarët e dinë dhe e shohin atë çfarë po ndodh. Dhe shumë më shpejt nga sa e mendojnë ata, Rama dhe Kokëdhima do lëciten tek lapidari i Vunoit si heronjtë e korrupsionit e vjedhjes më të madhe që dikush i ka bërë vendit.