Në 3 milionë faqet e reja të publikuara lidhur me dosjen e Jeffrey Epstein shfaqet edhe emri i një vajze shqiptare, e cila rezulton që të ketë aplikuar për një vend pune si asistente personale. Sipas materialeve, rezulton që e reja me iniciale E.T., të ketë aplikuar në mars 2017.
Fillimisht ajo ka dërguar një CV, një personi ndërmjetësi (emri i të cilit është i mbuluar në dokumente), duke shprehur interes për pozicionin e punës. Sipas të dhënave të CV-së që shqiptarja kishte dorëzuar për të aplikuar për këtë pozicion pune, rezulton se jetonte në Tiranë.
“Përshëndetje, jam e interesuar për punën për të cilën i thatë Evan Luthra-s, por unë nuk jam me bazë në SHBA. A është kjo problem?”, thuhet në emailin që ka dërguar e reja.
Në vijim të komunikimit, personi tek i cili po aplikonte për punë, i kërkon asaj që të dërgojë “3 foto me cilësi të mirë dhe CV-në”. Kandidatja më pas përcjell dokumentet dhe tre foto personale.
Pas marrjes së materialeve, i njëjti person ia përcjell email-in Jeffrey Epstein, duke e informuar se bëhet fjalë për një vajzë 21–22 vjeçe. Edhe pse në CV thuhet se vajza jeton në Tiranë, personi që i dërgon emailin Epstein i thotë se ajo jeton në Paris, duke e pyetur: “A duhet ta intervistoj këtë?”
Në listën e bashkëngjitjeve të email-it, përveç CV-së dhe fotografive, rezulton që e reja t’i ketë dërguar edhe një video për kandidimin e saj. Nga dokumentet nuk rezulton që vajza shqiptare të ketë pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Epstein.
















