Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Patriarku serb përkrah “botën ruse”, i përcjell mesazhe Putinit për Kosovën

2025/04/24 at 3:02 PM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 7 min
A A
Patriarku serb përkrah “botën ruse”, i përcjell mesazhe Putinit për Kosovën

Dënimi i “revolucionit me ngjyra” dhe “pushteteve perëndimore”, bashkë me dëshirën që Serbia t’i bashkohet botës ruse, ishin mesazhet që kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ia përcolli presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.


Porfirije, përveç falënderimeve ndaj Putinit për mbështetjen, foli edhe për Kosovën, Republikën Sërpska dhe Malin e Zi, duke thënë se qëndrimi i Serbisë varet nga qëndrimi i Rusisë.

Gjatë takimit në Kremlin, më 22 prill, ku morën pjesë edhe kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirilli, dhe mitropoliti i Baçkës, Irineji, u fol për dashurinë ndaj Rusisë që është “e ngulitur gjenetikisht në popullin serb” dhe për “punët djallëzore” të Perëndimit.

Ai ia përcolli Putinit përshëndetjet e Aleksandar Vuçiqit dhe konfirmoi se presidenti i Serbisë do të jetë në Moskë më 9 maj.

Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se vizita e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Moskë është “shumë më tepër sesa një gjest”.

“Konfirmimi i tij se Vuçiqi do të vijë në Moskë nënkupton se ai është takuar me të para se të nisej dhe se, me gjasë, ka marrë udhëzime, kërkesa ose lutje që të ndërhyjë tek Vladimir Putini për ta shpëtuar Vuçiqin nga ajo që ai e quan ‘revolucion me ngjyra’”, tha Jakshiq.

Ai shtoi se vizita e Vuçiqit në Moskë do të ketë “pasoja serioze për pozicionin gjeostrategjik të vendit”.

Pavarësisht paralajmërimeve të shpeshta nga Brukseli dhe synimit të deklaruar për anëtarësim në BE, Beogradi vazhdon bashkëpunimin me Moskën dhe refuzon t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Çfarë u tha në Moskë për protestat studentore?

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe përsëriti mesazhet e pushtetit në Beograd, i cili protestat studentore disa mujore – që kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në një aksident në Novi Sad – i quan “revolucion me ngjyra”.

“Shpresoj që ta kalojmë këtë sprovë. Sepse e dimë dhe e ndiejmë se qendrat e pushteteve nga Perëndimi nuk dëshirojnë zhvillimin e identitetit dhe kulturës së popullit serb. Lutjet tona janë gjithmonë me ju dhe shpresoj që Zoti do t’ju ndihmojë”, i tha Porfirije presidentit rus.

Për “përpjekjet për rrëzim të shtetit”, autoritetet në Serbi fajësojnë shërbime të paemëruara perëndimore, ndërsa nga Moska ka ardhur disa herë mbështetje për t’iu kundërvënë “revolucionit me ngjyra”.

Me këtë term përshkruhen protestat që rrëzuan regjime autoritare në republikat ish-sovjetike.

Mbështetje për autoritetet serbe kanë dhënë edhe hetues të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

Pas akuzave se gjatë protestës masive më 15 mars në Beograd u përdor top zanor, i cili është i ndaluar në protesta, FSB-ja pas një hetimi në Serbi erdhi në përfundim se autoritetet nuk e kishin përdorur atë.

Në videon e takimit të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit, vetë Putini nuk iu përgjigj drejtpërdrejt komenteve të patriarkut për “revolucionin me ngjyra”, por tha se “e di që situata në Ballkan nuk është e thjeshtë” dhe se Rusia është e vetëdijshme për përpjekjet e kreut të Kishës Ortodokse Serbe për ta “forcuar pozicionin e Serbisë”.

Teologu Vukashin Milliqeviq vlerëson se gjuha e përdorur nga patriarku tregon se ai nuk shkoi në Moskë si përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe apo popullit serb, por “vetëm si përfaqësues i regjimit”.

“Ka gjithnjë më shumë zëra brenda vetë kishës që dalin hapur, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe besnikëria ndaj vlerave të krishtera, dhe besoj se vala e ndryshimeve që falë studentëve ka prekur Serbinë, do të prekë edhe Kishën Ortodokse Serbe”, tha Milliqeviq.

Protestat studentore kanë ndarë zyrtarët e Kishës Serbe.

Ndërsa drejtuesit e kishës me mesazhet nga Moska dolën hapur në krah të pushtetit, një pjesë e klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe mbështeti studentët.

“Dihet që gjithmonë ka përvëluar ajo përplasja mes krahut konservator dhe atij liberal të kishës. Konservatorët ishin tani në Moskë. Krahu liberal u dëgjua në Munih kur peshkopi Grigorije mbajti fjalimin e mirëseardhjes për studentët që shkuan me biçikleta”, thotë Boshko Jakshiq.

Vuçiç në vizitën e parë në Moskë që nga pushtimi i Ukrainës

Presidenti rus deklaroi se Kisha Ortodokse Serbe jep një kontribut të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes popullit rus dhe atij serb, duke thënë se ato gjithmonë kanë “karakter të veçantë”.

“Kjo është, ndër të tjera, sepse na lidhin rrënjë të fuqishme, të thella të përbashkëta shpirtërore. Gjithmonë na vjen mirë t’ju shohim”, tha Putini.

Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet në Moskë më 9 maj në ceremonitë për Ditën e Fitores.

Porfirije, përmes përshëndetjeve të presidentit serb, konfirmoi se Vuçiq do të jetë më 9 maj në Moskë “pavarësisht rrethanave në Evropë dhe gjetkë”.

Vizitën e parë në Rusi që nga nisja e agresionit ushtarak të Kremlinit ndaj Ukrainës, presidenti i Serbisë e njoftoi në fillim të marsit, pas një bisede telefonike me Putinin.

Në deklaratat e mëvonshme, Vuçiq këmbënguli se nuk do ta ndryshojë vendimin për të udhëtuar, pavarësisht se Perëndimi, siç tha, mund të përgjigjet me ndonjë lloj sanksionesh.

“Është një çështje e madhe nëse Vuçiq me të vërtetë e dëshiron Serbinë në BE, apo dëshiron ta afrojë më shumë me Lindjen dhe nesër të na ofrojë BRIKS-un në vend të Bashkimit Evropian”, thotë analisti Boshko Jakshiq.

Ai shton se presidenti i Serbisë “do të kishte shmangur kritikat edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja” nëse, në vend të udhëtimit në Moskë, do të organizonte kremtimin e Ditës së Fitores mbi fashizmin në Beograd.

“Por, ai zgjodhi Lindjen”, thotë Jakshiq.

Si kandidat për anëtarësim në BE, Serbia që nga dhjetori 2021 nuk ka hapur asnjë kapitull negociues.

Procesi ka ngecur për shkak të refuzimit për të harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Brukseli i kërkon Beogradit edhe përparim në sundimin e ligjit dhe në dialogun me Kosovën.

“Bota serbe dhe ajo ruse” në sytë e kreut të Kishës Serbe

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirilli, tha gjatë takimit në Kremlin se dashuria ndaj popullit dhe Kishës ruse është “organikisht e përfshirë në kulturën e Serbisë, në popullin serb”.

“Disa vende sllave, pa i përmendur, nën ndikimin e fuqive të fuqishme militariste perëndimore, përkohësisht e ndryshuan orientimin, pastaj u penduan, por e ndryshuan. Serbët nuk e kanë ndryshuar kurrë”, tha Kirilli.

Ai shtoi se ajo që po ndodh me moralin dhe etikën njerëzore në Perëndim është një “punë djallëzore”.

Pasi Porfirije u pajtua, Kirilli sqaroi se “qëllimi i djallit është që njeriu të humbasë dallimin mes të mirës dhe të keqes”.

Patriarku Porfirije, i cili foli në rusisht në Kremlin me ndihmën e mitropolitit të Baçkës Irinejit, deklaroi se populli serb e sheh popullin rus si të vetin.

Ai citoi fjalët e patriarkut të mëparshëm Irinej, i cili thoshte se “barka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse”.

“Qëndrimi ynë për Kosovën, Republikën Serbe dhe Malin e Zi, e konsideroj dhe e ndiej se varet edhe nga qëndrimi i Federatës Ruse në nivel global. Dëshira ime, dhe e shumicës në Kishën tonë, është që në të ardhmen, nëse ndodh një rigrupim i ri gjeopolitik, të jemi pranë atij rrethimi rus, në botën ruse”, tha Porfirije.

Këtë mesazh e komentoi zyrtarisht edhe Prishtina edhe Podgorica.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se deklaratat e Porfirijes në Moskë cenojnë sovranitetin e Kosovës dhe nxisin përçarje në të gjithë rajonin.

“Fjalët e Porfirijes nuk janë fjalë pa peshë – ato përçojnë një vizion për të kaluarën, jo për të ardhmen. E ardhmja e rajonit nuk ndërtohet mbi nostalgjinë për dominim e konflikt, por mbi respektin dhe bashkëjetesën”, shkroi ajo ne Facebook.

“Presim reagim të qartë nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë–Serbi. Heshtja ndaj deklaratave që minojnë paqen dhe nxisin urrejtje nuk është neutralitet — është normalizim i gjuhës së urrejtjes”, shtoi Gërvalla.

Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi i cilësoi deklaratat e patriarkut serb si “të papërshtatshme dhe të papranueshme”.

Nga ministria u tha se çështjet shtetërore janë ekskluzivisht kompetencë e institucioneve të Malit të Zi, që është shtet laik, anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE.

“Porfirije i përcolli Putinit lavde për mbështetjen ndaj Kosovës, Republikës Serbe dhe popullit serb në Mal të Zi, dhe më pas, më duket se hyri drejtpërdrejt në një territor që duhej t’i ishte i ndaluar në një vend nominalisht laik. Ai nuk ishte mesazh i një njeriu të Zotit, por i një njeriu të Vuçiqit”, vlerëson Boshko Jakshiq.

Teologu Vukashin Milliqeviq mesazhet e kreut të Kishës Serbe në Moskë i cilëson si të papërgjegjshme.

“Kur bëhet fjalë për mënyrën se si politika e jashtme ruse dhe ndikimi i tyre në përgjithësi reflektohet në rajonin tonë, nuk ka asnjë dyshim se ai është destruktiv, sepse është e qartë që Rusisë i konvenon hapja e sa më shumë pikave të konfliktit”, tha Milliqeviq.

Parlamenti Evropian në mars 2022 shprehu shqetësimin për “përpjekjet e Kishës Ortodokse në Serbi, Mal të Zi dhe në entitetin e Bosnjë-Hercegovinës, Republika Serbe, për ta promovuar Rusinë si mbrojtëse të vlerave tradicionale familjare dhe për të forcuar lidhjet mes shtetit dhe Kishës”.

Eurodeputetët e dënuan me një rezolutë përpjekjen e Rusisë për të shfrytëzuar tensionet etnike në Ballkanin Perëndimor “për të nxitur konflikte dhe ndarje mes komuniteteve”./REL



Ju sugjerojmë

Ori Nebiaj kritike ndaj PD: Riciklohen të njëjtat fytyra
-U tha në Opinion

Ori Nebiaj kritike ndaj PD: Riciklohen të njëjtat fytyra

15 Maj, 2025 10:51 pm
Sejamini parashikon zgjedhje të parakohshme në Tiranë
-U tha në Opinion

Sejamini parashikon zgjedhje të parakohshme në Tiranë

15 Maj, 2025 10:41 pm
Vota e diasporës dhe zarfet e ardhur nga Greqia, Balla sqaron se çfarë ka ndodhur
-U tha në Opinion

Vota e diasporës dhe zarfet e ardhur nga Greqia, Balla sqaron se çfarë ka ndodhur

15 Maj, 2025 10:28 pm
Zelensky mbërrin në Tiranë, pritet në aeroport nga ministri Vengu
Kryesore

Zelensky mbërrin në Tiranë, pritet në aeroport nga ministri Vengu

15 Maj, 2025 10:19 pm
Begaj takim me Costën: Populli shqiptar mbështet anëtarësimin e vendit në BE
Kryesore

Begaj takim me Costën: Populli shqiptar mbështet anëtarësimin e vendit në BE

15 Maj, 2025 10:15 pm
Parashikoi votën e diasporës që në Janar, Fevziu-Ballës: Tani je fiks për akuzë…
-U tha në Opinion

Parashikoi votën e diasporës që në Janar, Fevziu-Ballës: Tani je fiks për akuzë…

15 Maj, 2025 10:04 pm
Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe krerët e BE-së, darkë informale në Tiranë
Kryesore

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe krerët e BE-së, darkë informale në Tiranë

15 Maj, 2025 9:46 pm
Qato tregon në ‘Opinion’ kufizimet për samitin: Nuk hyn as makinë e as këmbësor!
-U tha në Opinion

Qato tregon në ‘Opinion’ kufizimet për samitin: Nuk hyn as makinë e as këmbësor!

15 Maj, 2025 9:35 pm
Berisha në Bruksel: Mora mbështetje nga partitë anëtare të IDU për rikthimin e …
Politikë

Berisha në Bruksel: Mora mbështetje nga partitë anëtare të IDU për rikthimin e …

15 Maj, 2025 9:11 pm
Aksion policor në Korçë/Dy persona në prangat e policisë, priten disa urdhër-arreste
Aktualitet

Aksion policor në Korçë/Dy persona në prangat e policisë, priten disa urdhër-arreste

15 Maj, 2025 8:41 pm
Para
“Mos i bëj presion me shikim asaj”, ç’ndodhi mes Ramës e kryebashkiakut të Elbasanit

“Mos i bëj presion me shikim asaj”, ç’ndodhi mes Ramës e kryebashkiakut të Elbasanit

Schmidt pezullon financimin buxhetor për partinë e Dodikut

Schmidt pezullon financimin buxhetor për partinë e Dodikut

Rama në Belsh: Këtu kishte vetëm ferra, sot është bërë destinacion turistik

Rama në Belsh: Këtu kishte vetëm ferra, sot është bërë destinacion turistik
















TE FUNDIT

Ori Nebiaj kritike ndaj PD: Riciklohen të njëjtat fytyra

Ori Nebiaj kritike ndaj PD: Riciklohen të njëjtat fytyra
15 Maj, 2025

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 Majit, kanë ngjallur zhgënjim dhe mosbesim tek selia blu. Humbja e opozitës ka nxitur shumë...

Lexo më shumë

Sejamini parashikon zgjedhje të parakohshme në Tiranë

Sejamini parashikon zgjedhje të parakohshme në Tiranë
15 Maj, 2025

Analisti Neritan Sejamini u shpreh në emisionin “Opinion” këtë të enjte se opozita duhet të reflektojë. Sipas tij, pavarësisht rezultatit...

Lexo më shumë

Vota e diasporës dhe zarfet e ardhur nga Greqia, Balla sqaron se çfarë ka ndodhur

Vota e diasporës dhe zarfet e ardhur nga Greqia, Balla sqaron se çfarë ka ndodhur
15 Maj, 2025

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla ishte mbrëmjen e sotme në një lidhje për emisionin ‘Opinion’, ku...

Lexo më shumë

Zelensky mbërrin në Tiranë, pritet në aeroport nga ministri Vengu

Zelensky mbërrin në Tiranë, pritet në aeroport nga ministri Vengu
15 Maj, 2025

Në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, mbrëmjen e sotme ka mbërritur edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com