Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, thotë se afro 300 migrantë janë arrestuar pas trazirave në kampin më të madh të refugjatëve në këtë vend.
“Afro 300 migrantë, 6 prej të cilëve konsiderohen se janë kërcënim për sigurinë kombëtare, janë arrestuar”, tha Borisov sot herët në mëngjes në radion publike BNR, pasi e ka vizituar kampin.
Zyrtarët e bullgarë thanë se ndërmjet 1,500 dhe 2,000 migrantë ishin të involvuar në përleshjet e djeshme në qendrën e pranimit të migrantëve Harmanli, afër kufirit me Turqinë.
Masa, kryesisht e përbërë nga refugjatët prej Afganistanit, dyshohet se i kishte ndezur gomat e automobilave dhe kishte hedhur gurë kundër afro 200 policëve dhe zjarrfikësve në shenjë të protestës kundër ligjit të ri, që nuk i lejon migrantët që të largohen nga qendra, si masë e përkujdesjes shëndetësore.