Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se do të bëjë çmos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës në frymën e bashkëpunimit, për të vazhduar më pas me formimin e Qeverisë së re.
Kurti i bëri komentet pas një takimi të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, për të diskutuar mundësitë për dalje nga kriza institucionale.
Ai nuk tregoi nëse ka dalë me ndonjë propozim të ri, apo ndonjë detaj tjetër nga biseda me Osmanin.
“Diskutuam gjerë e gjatë, i përmendëm të gjitha elementet përbërëse… Zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive të tjera politike. Mbase në fund do të mund të shohim nëse kemi bërë përparim”, tha Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Besoj se duhet t’u japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim se cili është progresi”, tha ai para gazetarëve.
Në plot 40 përpjekje, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ende ta konstituojnë institucionin ligjvënës. Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.
Me një vendim të lëshuar javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Që nga aktgjykimi janë mbajtur edhe dy seanca në Kuvend, por pa rezultat. Përfaqësuesit e partive politike fajësojnë njëri-tjetrin për mungesë përgjegjësie. Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, këmbëngul në emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Por Haxhiu, për disa herë me radhë, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme për këtë pozitë.
Vetëvendosje insiston në votim të feshehtë, por partitë e tjera janë kundër, ndaj edhe refuzojnë kërkesën e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të propozuar përfaqësues për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.
Këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha më 30 qershor se ajo pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend të zbatojnë aktgjykimin e Kushtetueses dhe të përfundojnë seancën konstituive brenda afatit prej 30 ditësh.
“Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Kupina.
Ekspertët e çështjeve ligjore-kushtetuese thonë se aktgjykimi i Kushtetueses duket se nuk solli zgjidhje për krizën institucionale në Kosovë, ndaj, sipas tyre, zgjidhja mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike, ose me ndërhyrjen e presidentes. REL