Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshit duket se Prokuroria e Përgjithshme do të lëshojë një tjetër fletë arresti.
Bëhet fjalë për kryetarin e Bashkisë së Krujës, Artur Bushit.
Sipas portalit ‘Tesheshi.com’, procedura e verifikimit të deklarimit ka përfunduar dhe ditën e nesërme pritet që e njëjta gjë të ndodhë edhe me të.
Mësohet se edhe Bushi do të akuzohet për të njëjta akuza si Rroshi, atë të deklarimit të rremë në formularin e vetëdeklarimit.
Emri i kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi është mes emrave që rezultojnë se kanë patur problem me drejtësinë. Sipas formularit të plotësuar nga vetë Bushi ai ka qenë nën hetim dhe i arrestuar nga drejtësia italiane dhe se ka qenë një herë dhe në arrest me burg.
Bushi ka qenë tri herë i vënë në pranga nga policia italiane. Herën e parë në 1996-ën, të dytën në qershor të 2010-ës dhe të tretën në korrik po të 2010-ës. Në 1996 ai është ndaluar në Cazerta të Italisë, për arsye që nuk i kujtohen dhe siç deklaron është liruar menjëherë. Në 2010-ën ai është arrestuar sërish dy herë i dyshuar për trafik narkotikësh.
Kujtojmë se këto akuza kanë qenë gjithmonë të artikuluara nga opozita që prej kandidimit të tij për kryetar të bashkisë së Krujës nën siglën e PS-së.