Deputetja demokrate, Flutura Açka, në një dalje për mediat, i ka bërë thirrje kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit që t’i drejtohet SPAK-ut për të gjitha aludimet në drejtim të saj apo kolegëve demokratë që thonë se kanë vendosur që të kthejnë normalitetin në parlament.
Açka tha se çfarëdo iluzioni që mund të krijohet nëpërmjet lajmeve fake, janë shumë të dëmshme, sidomos në kampin opozitar.
“Kam keqardhje sepse lidhet me kolegët tanë që kanë vendosur të prishin seanca. Keqardhjen më të madhe e kam për aludimet e hapura, kështu që jam e detyruar që t’i bëj thirrje publike Bardhit dhe kujtdo që mendon dhe insenuon në raport me mua dhe me kolegë të tjerë, të cilët kanë vendosur për normalizimin e këtij parlamenti, t’i drejtohen SPAK-ut dhe organeve kompetente. Çfarëdo iluzioni që mund të krijohet nëpërmjet lajmeve fake, janë shumë të dëmshme, sidomos në kampin opozitar. Ne kemi detyrë të themi fjalën tonë. Unë kam keqardhje të madhe që nuk munda të përfshihem në buxhet katastrofik që shqiptarët nuk e morën vesh kurrë”-tha Açka.
Në mbledhjen e Komisionit të Medias, Gazment Bardhi ka “shpërthyer” në akuza ndaj Bashës, duke thënë se ai është “një zagar që ka shitur interesat e demokrateve dhe një shërbëtor i regjimit”.