Dy punonjëse të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza janë proceduar penalisht, pas denoncimit të bërë nga emisioni investigativ “Stop”.
Mësohet se pas denoncimit në emision, policia ka ushtruar kontrolle në ambientet e QSUT, ku janë gjetur qese me mbetje të rrezikshme spitalore jashtë kushteve të sigurisë.
Sipas uniformave blu hetimi ka nisur për O.J. 33 vjeçe dhe M.H. 33 vjeç, të cilat janë administratorja dhe përgjegjësja në Sektorin e Monitorimit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, për shtetaset O. J., 33 vjeçe dhe M. H., 33 vjeçe, me detyra respektive administratore dhe përgjegjëse në Sektorin e Monitorimit në një pavion në QSUT, sepse pas njoftimit nga gazetarët e emisionit investigativ “STOP”, se në ambientet e spitalit administroheshin mbetje të rrezikshme jashtë kushteve të sigurisë, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll dhe kanë gjetur disa qese me mbetje spitalore”, thuhet në njoftimin e Policisë Tiranë.