Laçi bën befasinë e madhe në “Arenën e Demave”. Kurbinasit përmbysën 1-2 Partizanin dhe sigurojnë tri pikë me vlerë në një ndeshje që u vendos në shtesën e gjashtë. Hap fals për të kuqtë e Orges Shehit, që shohin Egnatian tetë pikë më sipër në krye të klasifikimit.
Ndeshja në fillim foli për vendasit, që shënuan pas vetëm 12 minutave lojë me Mensah. Sulmuesi kërceu mbi të gjithë dhe ia ndali sferën në rrjetë Dajsinanit. Kur dukej se “Demat” do mbyllnin llogaritë e ndeshjes, fundi rezultoi i hidhur për ta.
Në minutën e 83 Sobouale barazoi gjithçka me një aksion të rrjedhshëm. Laçi nuk u ndal këtu, por në shtesën e gjashtë shënoi edhe golin e fitores me Ledio Tresën. Partizani befasohet dhe Orges Shehi merr humbjen e parë si i kuq, duke qenë në vendin e dytë me 35 pikë. Laçi me 25 pikë merr vendin e pestë.