Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka depozituar ditën e sotme, në Gjykatën Kushtetuese, padinë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të miratuara me konsensusin e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike më 26 Korrik.
LZHK kërkon shfuqizimin e nenit që përcakton mbylljen e listave në 1/3.
Padia është nënshkruar nga Dashamir Shehi, në cilësinë e kryetarit të LZHK-së dhe është dorëzuar nga avokati Rezart Kthupi.
Në një prononcim për mediat, Kthupi tha se e ka dorëzuar padinë në cilësinë e avokatit, në emër të partisë së Shehit, pasi partitë e vogla opozitare kanë mendime të ndryshme juridike dhe vendosën që paditë t’i bëjnë të veçanta.
“Dorëzova kërkesë-padinë që kishte për objekt shfuqizimin e asaj pjese të kodit zgjedhor që cenonte atë që ishte diskursi më i madh politik, ai i listave të hapura. I kemi kërkuar Gjykatës shfuqizimin e asaj pjese që mbyll përfundimisht listat në versionin më të keq në krahasim me vitin 2021 dhe të shqyrtojë çështjen proceduriale sesi është miratuar ky ligj. Në gjykimin tonë çështja e listave të hapura janë momenti kyç që mund të sjellë ndryshim e demokratizim të partive politike dhe interesi i qytetarëve”, u shpreh Kthupi.