Agron Shehaj ka kërkuar seli qendrore për partinë e tij Mundësia për shkak të zgjedhjeve të 11 majit. Në një shkresë drejtuar KQZ-së, që mban firmën e nënkryetarit Erald Kapri, kërkohet lëshimi i një vërtetimi zyrtar që të pasqyrojë përqindjen e votave në shkallë kombëtare, numrin e mandateve të fituara në Kuvend, si dhe çdo të dhënë tjetër zyrtare mbi rezultatin e partisë në zgjedhjet parlamentare.
Kjo kërkesë, sipas partisë, bazohet në ligjin për “Për partitë politike” dhe në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, që rregullon procedurat për pajisjen me seli të partive parlamentare.
“Në mbështetje të nenit 22 dhe 22/1 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar, si dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e rregullave të hollësishme për zyrat qendrore dhe vendore të partive politike, Partia Mundësia kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lëshimin e vërtetimit zyrtar që pasqyron: përqindjen e votave të marra në shkallë kombëtare nga partia Mundësia, numrin e mandateve të fituara në Kuvendin e Shqipërisë, dhe çdo të dhënë zyrtare mbi rezultatin elektoral të subjektit politik “Partia Mundësia” në zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025. Ky vërtetim kërkohet për efekt të procedurës ligjore për pajisjen me seli qendrore dhe zyrtat vendore të partive parlamentare, në zbatim të nenit 22 të ligjit nr. 8580/2000 dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave të përmendur më sipër”, thuhet në kërkesë.
Më 11 maj, partia Mundësia mori 49 006 vota në rang vendi dhe siguroi dy deputetë, vetë Shehaj dhe Erald Kapri.