Një atentat me lëndë eksplozive është parandaluar mbrëmjen e djeshme në fshatin Vrinë, në Konispol.
57-vjeçari Mirash Gjikola ka njoftuar policinë e Sarandës se në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës” në aksin Shëndëlli-Vrinë, ka dëgjuar zhurma të pazakonta në mjet. Ai ka ndaluar dhe ka konstatuar praninë e një sasie eksplozivi.
Lënda plasëse është gjetur në sediljen e pasme të mjetit dhe dyshohet se do të aktivizohej me telekomandë. Gjikola thotë se nuk është i përfshirë në asnjë konflikt.
Policia, ekspertë të krimeve të rënda nga Policia e Vlorës dhe reparti anti-eksploziv i RENEA-s janë në vendngjarje duke punuar për neutralizimin e lëndës. Ndërkohë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
















