Një aksident rrugor është regjistruar në autostradën Lushnje-Fier në afërsi të Savrës. Dy mjete fuoristrada në tentativë parakalimi janë fërkuar me njëra-tjetrën.
Si pasojë fuoristrada me targa AA 765 TL ka përfunduar në kanalin në anë të autostradës, rreth tre metra i thellë, ku fatmirësisht nuk ka pasur prezencë uji.
Sipas Klan.News Në këtë mjet udhëtonte shtetasi F.M me tre fëmijët e tij të mitur nga 5 deri 8 vjeç që fatmirësisht kanë shpëtuar për mrekulli dhe vetëm drejtuesi i mjetit ka marrë lëndime të lehta në kokë.
Në mjetin tjetër udhëtonte drejtuesi një 30-vjeçar me bashkëshorten, nënën dhe motrën e vet. Asnjë nga këta nuk është lënduar pasi i ka ruajtur barriera anësore metalike dhe nuk kanë dalë nga rruga.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Ndërkaq, paraprakisht dyshohet për gabim njerëzor në momentin e parakalimit.