Një qytetar i është drejtuar emisionit Stop në Tv Klan për të denoncuar kushërirën e tij, konkretisht vajzën e xhaxhait, se i ka vjedhur pronësinë e shtëpisë përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Artan Deliu tregon bashkë me të atin Shefqet Deliu kanë blerë një shtëpi në vitin 2004 te “Gora shpk”, për 16 mijë Euro në zonën e Astirit në Tiranë. Babai, 94 vjeç, u sëmur dhe për të u kujdes Lumturi Shabani, vajza e xhaxhait për 3 muaj me pagesë 200 mijë Lekë. Kur babai u shtrua në spital, Artani dëgjoi se Lumturia po bënte letrat e shtëpisë. Pyet të atin, se mos ka bërë ndonjë akt dhurimi, por ai e mohoi.
Artan Deliu: Unë jam trashëgimtar i Shefqet Deliut. Kemi një apartament në Astir. Në 21.3.2004 është blerë nga “Gora shpk” nga z. Rrapush Hoxholli. E kemi blerë 16 mijë Euro cash. I gjithë pallati nuk është bërë me certifikatë pronësie. Babai im nga Nëntori u sëmur. Në atë kohë vjen goca e xhaxhait tim Lumturi Shabani dhe vjen i bën yzmet. Vij unë nga Greqia edhe komunikoj me babin edhe i them kësaj që bën gjithë këto shpenzime i ke dhënë? I kam dhënë pensionin thotë babi. I jepja pensionin muaj për muaj, thoshte, 200 mijë Lekë. Babai pastaj u sëmurë më keq. Ishte 94-95 vjeç, ishte me shumë sëmundje. U përkeqësua, u shtrua në spital. Unë në atë moment ika në Greqi dhe erdha prapë. Më thotë Lumja që e kam blerë unë shtëpinë dhe i kam thënë babait tënd 16 mijë Euro. Kur babai im i jepte 200 mijë Lekë Lumes për shpenzimet. Unë kisha dyshime te goca e xhaxhait se mos kishte bërë ndonjë dokument fals, mos kishte shkruar babai im ndonjë letër pa dashje, ndonjë akt dhurimi, ndonjë testament. Duhet të isha shumë i sigurt edhe i bëra një video babait.
Djali-Nuk i ke shkrujt Lumes ndonjë gjë, noteri ndonjë diçka?
Babai-Jo mo, ku ka noteri ajo?
Djali-Eh, po them mos i ke shkrujt Lumes, ndonjë në emër të Lumes.
Babai-Për shtëpinë jam unë.
Djali-Bravo! Nuk i ke shkrujt ndonjë letër , se të q* nënën ajo, të nxjerr përjashtë.
Babai-Më ha m*tin! S’ka ça m’bën! Jo, nuk kam shkruar gjë!
Djali-Se më tha Besniku(i vëllai), m’tha mos na ke ba ndonjë gjë dhe na nxjerr përjashta, tha.
Babai-Nuk ka, ça m’ban mu ajo!
Djali-Nuk ke shkrujt letër te Soni a?
Babai-Kush po pyt për letra o, jam gjallë unë!
Djali-Bravo!
Artan Deliu: Edhe unë pastaj aty u sigurova që s’kishte bërë gjë letër.
Në Janar 2023 babai ndërroi jetë dhe Artani nisi procedurat e trashëgimisë. Në këtë moment zbulon se Lumturia i kishte marrë shtëpinë. Vjen nga Greqia dhe gjen njerëz në shtëpinë e tij që banonin me qira. Artani bëri denoncim në polici dhe i vjen komshiu poshtë Armando Lleshi, që ishte blerësi i shtëpisë nga Lumturi Shabani.
Artan Deliu: Në Janar ka ndodhur vdekja pastaj, ndërroi jetë babai më 24.1.2023. Pas vdekjes së babait fillova të bëj procedurat e certifikatës personale të shtëpisë që ta kalojmë në emrin tim. Kam shkuar te noteri, do më nxjerrësh këto letra më tha, i kam unë këto letra, i kam dhe origjinalet pa merak tha, që të merrja kalimin e pronësisë në emrin tim. Në datën 6 kthehem, hyj me çelësin e shtëpisë time tek shtëpia e babit, edhe hap derën shikoj njerëz të tjerë. Shikoj një gocë atje, studente më duket se ishte. Ti çfarë do këtu i thashë unë. Ajo për momentin u tremb se unë hapa derën. Ajo më tha mua çfarë do ti këtu. Unë i thashë çfarë do ti këtu. Më tha unë e kam marrë me qira këtë shtëpinë. Vjen një gocë tjetër edhe më thotë që unë e kam blerë këtë shtëpinë, po nuk e di se si e ka emrin ajo goca. Në atë kohë vjen patrulla e policisë e njoftuar nga unë. Erdhën aty, më thanë merr letrat e shtëpisë dhe hajde në komisariat që të bësh kallëzimin. Në momentin që shkoj në komisariat unë, më vjen Armando Lleshi, ai jeton komshi poshtë meje. Më vjen me një certifikatë pronësie dhe thotë unë ja kam blerë Lumes. Në atë moment i them ti i ke false këto letrat dhe ne do ta verifikojmë. Ti më Dhjetor më ke pyetur mua a do ma shesësh mua shtëpinë? Po, tha, të kam pyetur. Unë të kam thënë që nuk kam letra akoma gati për ta shitur. Nuk ka gjithë pallati certifikatë pronësie. E shet Lumja me letra false. E pyes Armandon i them sa e ke marrë? 22 mijë Euro. I them si u lidhe ti me Lumen? Ai tha kam gjetur një shpallje në shtylla edhe kam komunikuar me Lumen edhe më tha Lumja unë i kam letrat e mia.
Artani zbuloi se kushërira e tij Lumturia e ka blerë shtëpinë nga firma “Joni shpk”, ndërsa i ati i tij nga “Gora shpk”.Bëhet fjalë për të njejtën firmë, që ka ndryshuar emër.
Artan Deliu: Lumja ka një kontratë porosie. Nuk e di si ka hyrë tek kjo “Jon shpk”, unë e di që është “Gora shpk”. Unë nuk e di se çfarë letra ka bërë ajo. Unë shkova te noteri që ka bërë babai im kontratën në 2004 edhe më shpjegoi që janë të gjitha false letrat.
Noteri Gergji Donkoli shpjegon se Lumturi Shabani ka falsifikuar dokumentet e blerjes dhe gjithçka është e pavlefshme.
Noteri-Këtu fillon ajo që në 4 qershor 2012, Shoqëria “Joni” e përfaqësuar nga Vjollca Hoxholli i ka shitur Lumturi Shabanit këtë apartamentin.
Qytetari-Si doli tashi kjo pronare me babanë tim? Pa lidhje ë? Domethënë kjo është false?
Noteri-Pa lidhje, se është edhe pa noter. Është bërë kjo kontratë edhe nëpërmjet kësaj i kanë bërë shitjen ata më 24 janar 2023, para 3 muajsh Lumturisë.Lumturia, menjëherë pasi e ka marrë në pronësi, ia ka shit Armando Lleshit, dhe ky është blerësi i fundit.
Qytetari-Çfarë duhet të bëj unë tashi?
Noteri-Unë mendoj, që ti duhet të bësh menjëherë dëshminë e trashëgimisë dhe të fillosh procedurat.Të takosh njëherë këto, t’i vësh në dijeni, që unë do t’ju kallzoj të gjithëve me rradhë do i thuash, duke filluar nga Vjollca, sepse kjo është një kartë identiteti e lëshuar rreth viteve 2020, dhe s’ka mundësi, që këtë numër karte identiteti ta ketë pas në 2012, që vërteton, që ky dokument është tërësisht i fallsifikuar. E njëjta gjë dhe Lumturia. Në 2012 ka qenë të gjitha me 02. Këto janë të gjitha të fallsifikuara. Këto mandate arkëtimi nuk janë reale, janë të pavërteta dhe të gjitha objektetet, që rrjedhin pas këtij akti të falsifikuar, janë të pavlefshme.
Pas këtij momenti, Artan Deliu bëri denoncim te Krimi Ekonomik./ Tv Klan