Kryeministri Edi Rama vijon polemikat në distancë me sistemin e drejtësisë, pasi akuzon prokurët e gjyqtarët që duan të rritin rrogat e tyre me vendim gjykate. Pas daljes së tij në mëngjes në një videomesazh në Facebook, ku e quajti absurde kërkesën e gjyqtarëve, reagoi Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë duke thënë se retorika e Ramës nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.
“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!! Pra, orvatja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!! A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!! Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!! Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë!”, shkruan Rama në X.
“Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve! Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!
Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shkelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”.

















