Pesë mjekë të Spitalit Rajonal të Fierit, janë marrë të pandehur për akuzën e “Neglizhencës në trajtimin mjekësor”, duke sjellë vdekjen e pacientit të tyre, Bledar Sherifaj.
Prokuroria Fier ka dërguar në gjyq pesë mjekë të Spitalit Rajonal, ata janë: mjekja e pergjithashme Ledjusa Muhametaj, mjeku Enton Dore, mjeku psikiatër Agim Sulaj, mjeku gastro-hepatolog Aleks Sulejmani dhe mjeku infeksionist Ndriçim Bala, të cilët kryer veprën penale të “Neglizhencës në trajtimin mjekësor”.
Rasti është hetuar nga prokuroria e Fierit,e cila pas hetimeve të kryera ka konstatuar një seri shkeljesh dhe neglizhencë totale nga ana e stafit mjekësor, për rastin e pacientit Bledar Sherifaj.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka përfunduar hetimet paraprake të çështjes penale nr.1437, viti 2022, dhe dërgon për gjykim 5 (pesë) të pandehur, mjekë të Spitalit Rajonal Fier, konkretisht të pandehurit L.V( M), E.D., A.S., A.S. dhe N.B., për veprën penale, “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96 paragrafi i 2 Kodit Penal.
Nga provat e administruara dhe analizimi i tyre, ka rezultuar se pesë mjekët kanë neglizhuar në trajtimin mjekësor të shtetasit B.SH., i cili më pas ka ndërruar jetë.
Prokuroria Fier, është plotësisht e angazhuar për të ushtruar ndjekje penale dhe vënë para përgjegjësisë të gjithë funksionarët publikë që kryejnë vepra penale”, njofton prokuroria./Opinion.al