Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e dy qytetarëve si pasojë e përmbytjeve në Pejë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka thënë se përkrahja për Komunën e Pejës duhet të vazhdojë.
“Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën. I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike”.
“Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që Komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”, ka shkruar Osmani.