Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar kongresistin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës.
Gjatë fjalës së saj në takim, Osmani ka thënë se mbështetja e ShBA-së në rrugën e Kosovës drejt NATO-s është esenciale.
Përmes një njoftimi të Presidencës, thuhet se Osmani i ka cilësuar raportet me SHBA strategjike edhe ekzistenciale, ndërsa ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen ndër vite.
Osmani ka theksuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-së.
“Në takim me kongresistin Tuner, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.Në raport me bashkëpunimin me SHBA-të, Presidentja Osmani potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kësisoj, Presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e SHBA-ve është esenciale”, ka njoftuar Presidenca përmes një komunikate.