Ndeshja kundër Izraelit ka dekretuar atë që përflitej prej kohësh, se Orges Shehi nuk do të jetë më një portier aktiv në radhët e kombëtares shqiptare të futbollit, ku deri pak muaj më parë cilësohej si portier i dytë nga trajneri De Biazi. Kapiteni i Skënderbeut, i cili ishte zëvendësuesi i parë i Berishës që nga momenti kur Ujkani braktisi kuqezinjtë, tashmë ka vendosur t’u hapë rrugë Alban Hoxhës dhe Thomas Strakoshës, të cilët do të rivalizojnë njëri-tjetrin për hierarkinë në skuadër.
Edhe pse në listën e lojtarëve të grumbulluar për sfidën, gjatë javës, Shehi ka qenë më shumë pjesë e stafit kuqezi në stërvitje sesa duke u përgatitur vetë me ekipin për ndeshjen, një sinjal i qartë i vendimit të marrë bashkërisht me trajnerin De Biazi, i cili gjithsesi do të vazhdojë të grumbullojë portierin e Skënderbeut edhe në vijim.
Ndërkaq, emri i tij, ashtu siç pritej, nuk u përfshi në protokollin e ndeshjes, ku tashmë zëvendës të mundshëm potencial të Berishës janë Hoxha dhe Strakosha, ndërsa nuk dihet ende se nga cili prej tyre do të drejtohet De Biazi në rast nevoje.
Situata e Shehit është e ngjashme me atë të Ervin Bulkut, i cili ishte vazhdimisht në listën e të grumbulluarve të kombëtares, edhe pse nuk luante apo nuk gjendej në protokoll, derisa u bë pjesë aktive e stafit teknik të kuqezinjve.