Opozita i ka dërguar një kërkesë kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi për të shtyrë seancën parlamentare të ditës së nesërme. Opozita ka kërkuar që seanca të mbahet në orën 18:00 për shkak të protestës dhe jo në orën 10:00.
Ditën e nesërme është parashikuar që opozita të zhvillojë protesta të shtrira në të gjithë vendin, duke paralajmëruar edhe bllokim të disa akseve rrugore.
Ndërkohë grupi parlamentar i LSI ka kërkuar nga Gramoz Ruçi që të përjashtojë nga punimet e Kuvendit kryeministrin Edi Rama, pasi ata pretendojnë se në seancën parlamentare të kaluar Rama ka përdorur fjalor fyes ndaj opozitës dhe qytetarëve, pas protestës në Rrugën e Kombit.