Të tjera detaje vijojnë të zbardhen nga aksioni i SPAK që vijon prej orëve të vona të së mërkurës e që ka çuar në pranga deri më tani 6 persona.
Sipas gazetares Klodiana Lala në kuadër të këtij operacioni është shpallur në kërkim Elion Hato, krahu i djathtë i Ervis Martinajt.
Elion Hato është një emër i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë i përfshirë në sherrin e përgjakshëm në zonën e ish-Bllokut më 4 tetor të 2018-ës bashkë me Ervis Martinajn.
Hato sipas prokurorisë, në bashkëpunim me persona të tjerë ka tentuar që t’i bëjë atentat Ibrahim Licit.
Ndërkaq, mësohet se ish-shefi i Krimit të Organizuar në policinë e Shkodrës, Ardit Hasanbegaj, akuzohet se ka krijuar kushtet për antantat ndaj Dorjan Dhulit dhe Ibrahim Licit, ky i fundit kundërshtari i përbetuar i ‘Bajrave’.
Ndërsa, Ervis Martinaj, mbreti i lojërave të fatit ne bashkëpunim me Behar Bajrin, Pëllumb Gjokën dhe Edmond Prekën janë të përfshirë në vrasjen e Gjin Ndojit në 2020 në Vaun e Dejës.
Sakaq, Xhevahir Lita, drejtues aktual i prokurorisë së Kukësit, dyshohet se gjatë kohës kur ka ushtruar detyrën e prokurorit në Shkodër ka mbyllur dosjet penale në lidhje me këto vepra.