Një operacion i gjerë është kryer nga policia në qytetin e Fierit. Siç raportohet nga uniformat blu janë arrestuar dhe pezulluar nga detyra disa persona.
Në mesin e tyre, është edhe ish-nënkryetarja e bashkisë Fier, Adela Hysenaj, ndaj së cilës është lëshuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Hysenaj ka mbajtur postin e ish-Drejtoreshës së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në këtë bashki.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.
Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:
– “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shperdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;
– “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.