Transferimi në Pukë ka qenë i papritur për oficerin e policisë gjyqësore, Lauren Sheshi. Arsyet e transferimit, të firmosur nga Adriatik Llalla mendohet se e kanë origjinën në një vendim që bashkëshortja e tij, gjyqtarja e Gjykatës së Apelit administrative Blerona Hasa dha kundër Prokurorisë së Përgjthshme. Ajo ka shfuqizuar vendimin e shkarkimit të prokurorit te Fierit Artian Bejo në mars të 2015. Kryeprokurori e kishte shkarkuar nga detyra me arsyetimin e zvarritjeve të procesit të hetimeve. Shkarkim u miratua dhe nganjë dekret i presidentit. Por prokurori i shkarkuar i Fierit iu drejtua Gjykates se Apelit Administrative ku treshja gjykuese, kryesohej nga Blerona Hasa, bashkëshorte e Lauren Sheshit. Pavarësisht se kishte të bënte me shefin e bashkëshortit të saj, Blerona Hasa vendosi shfuqizimin e vendimit të Kryeprokurorit dhe dekretit te presidentit dhe ktheu në detyrë prokurorin e Fierit.
Tre ditë pas këtij vendimi oficeri pranë Prokurorisë së Tiranës Lauren Sheshi, bashkëshort i gjyqtares transferohet në Pukë. Pritet në ditët në vazhdim që oficeri Sheshi t’i drejtohet Gjykatës duke kërkuar kundërshtimin e këtij transferimi, si të pabazuar në ligj. I kontaktuar nga Lapsi.al, oficeri Sheshi tha se do të bëjë një reagim publik për këtë transferim të paarsyetuar. Oficeri Sheshi, prej vitesh është hetues në sektorin e Task Forcës së Prokurorisë së Tiranës, ku ka hetuar dosje të njohura të korrupsionit.