Entjol Xhelili ishte një nga dëshmitarët e sotëm në Komisionin Hetimor për pajisjen përgjuese Imsi-Catcher. Ndryshe nga dëshmitarët e tjerë që dhanë detaje mbi futjen e saj në burgje, personi që mendohet se e ka përdorur këtë pajisje, Oficeri i Forcës së Posaçme Operacionale, Entjol Xhelili u përpoq të tallej me këtë komision. Ai shkoi i veshur pa protokoll, me një bluzë me simbolet e flamurit. Pasi bëri ironi gjatë gjithë kohës dhe akuzoi Flamur Nokën se përgjimet janë bërë në kohën kur ai ishte ministër, u ngrit nga salla duke kënduar himnin kombëtar.
Entjol Xhelili është në hetim për përgjime të paligjshme, por kjo nuk e ka penguar atë të bëjë show para deputetëve dhe para kamerave, ashtu siç bëri edhe në muajin qershor, kur doli në gjykatë për masën e sigurisë. Xhelili u paraqit para gjyqtarëve me një valixhe ku brenda kishte futur një trendafil.