Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama ka folur pas sulmeve të javës së kaluar në Kaliforni, të cilat kanë lënë të vrarë 14 veta, duke u shprehur se SHBA-të nuk janë në luftë me islamin.
Obama ka thënë se të shtënat “kanë qenë akt i terrorizmit, me qëllim vrasjen e njerëzve të pafajshëm”, por sipas tij liria është më e madhe se frika.
“Nëse jemi të suksesshëm në mposhtjen e terrorizmit, komunitetet myslimane duhet t’i përfshijmë në mesin e aleatëve tanë më të fuqishëm dhe jo t’i largojmë ata me dyshime dhe urrjetje”, ka thënë Obama, duke përkujtuar audiencën e tij se amerikanët myslimanë janë pjesë e shoqërisë së Shteteve të Bashkuara.
Ai është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të luftojnë me çdo kusht grupin militant Shteti Islamik.