Ish-zëvendëskryeministër nga radhët e BDI-së, Artan Grubi dhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut janë shpallur “Non Grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Lidhur me vdnimin e DASH ka reaguar Grubi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Ai thotë se për këtë vendim që e prek atë personalisht është njohur nga mediat.
Grubi thekson se vazhdimisht është angazhuar për vlerat demokratike dhe këto vlera thotë se do ta përcjellin në çdo veprim të tij.
“Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht.
Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”,- shkruan Grubi.