Lideri i Lëvizjes Socialiste në Serbi, Aleksandër Vulin së bashku me deputetët e tjerë të kësaj force i kanë dorëzuar Kuvendit një kërkesë përmes së cilës synohet anëtarësimi i Serbisë në organizatën BRICS.
Ndonëse i shpallur i “padëshiruar” nga Shtetet e Bashkuara, Vulin nuk iu trembet sanksioneve dhe ka vendosur të bëjë kërkesë që vendi i tij të anëtarësohet në një organizatë ku përfshihen Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.
Vulin, aktualisht Drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion në Serbi akuzohet nga Uashingtoni si i përfshirë në krimin e organizuar dhe në aferat korruptive.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i ka dalë në mbrojtje mikut të tij Aleksandër Vulin, pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kreu i shtetit serb nënvizoi rëndësinë që të kryhet një hetim ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit. Vuçiç pretendon se Vulin është futur në listën e zezë amerikane për shkak të raporteve të ngushta me Rusinë, dhe jo për korrupsion e trafik droge.