Talo Çela është sot një nga më të kërkuarit e policisë shqiptare. 49-vjeçari nga Elbasani është akuzuar si një nga pjesëmarrësit e grabitjeve të parave në aeroportin e Rinasit dhe është i vetmi person në kërkim për këto ngjarje.
Ai ka dhënë sot një intervistë nga arratia ekskluzivisht për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, ku ka rrëfyer për herë të parë çfarë e lidh atë me grabitjet e Rinasit, por jo vetëm. Talo Çela u shpall në kërkim pas grabitjes së 9 Prillit 2019, ku një grup i armatosur i drejtuar nga Admir Murataj dhe Klement Çala, grabitën 6.2 milionë Euro para të bankave të nivelit të dytë në pistën e aeroportit të Rinasit.
Që prej asaj kohe, Talo Çela qëndron në arrati dhe i është shmangur dorëzimit në polici, duke u bërë një nga të shumëkërkuarit e autoriteteve shqiptare.
Në një rrëfim të gjatë për emisionin “Uniko”, Talo Çela mohon që të ketë marrë pjesë në grabitjen e 9 Prillit 2019, ndërsa pranon se njeh dy vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, të cilët janë tashmë të arrestuar për këtë ngjarje.
Në momentin kur u grabitën paratë në Rinas, 49-vjeçari Çela thotë se ka qenë në një berberhane duke u qethur.
Talo Çela u akuzua gjithashtu edhe për grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit në vitin 2016. Por edhe për këtë ngjarje, ai thotë se ka një alibi. Sipas tij, në atë moment ka qenë i shoqëruar me dy persona të tjerë. Pas grabitjes së 2016-ës, policia e shoqëroi në komisariat dhe pas marrjes në pyetje e la të lirë.
Spartak Koka: Kjo foto e juaj që prej vitit 2019 është në të gjitha mediat e shpërndarë nga strukturat e policisë.
Talo Çela: Është një çudi e paparë, sepse edhe në grabitjen e aeroportit të Rinasit të parën, unë kam qenë me dy persona duke ngrënë drekë.
Spartak Koka: Ju jeni cilësuar i fundit i paarrestuar për grabitjet e Rinasit. Cili ka qenë roli juaj në grabitjen e fundit të 9 Prillit 2019? A keni qenë ju brenda në aeroportin e Rinasit si pjesë e strukturës e cila goditi aeroportin e Rinasit?
Talo Çela: Fare, unë nuk kam qenë fare! Dhe ai Alkond Bengasi që flet është një bashkëfshatari im dhe prej atij unë kam njohur të dy vëllezërit Çala.
Spartak Koka: Çfarë njohje keni ju me Klement Çalën dhe Eldi Çalën?
Talo Çela: Shoqërore. Thjesht i kanë marrë një servis një shokut tim, këto 6 muajt e fundit para se të ndodhte grabitja, i kam njohur se kush janë. Ai i vogli, Klementi, nuk e kam takuar më shumë se 3 herë. Kurse ky Eldi, ky i madhi, e kam takuar 7-8 herë, 10 herë. Nuk e kam takuar më tepër.
Spartak Koka: Ku keni qenë ju më 9 Prill 2019?
Talo Çela: Unë kam qenë në berber duke u qethur e duke u rruajtur në orën 14:05 – 14:10. Biles kur kam hyrë tek berberhania kam fshirë ca qime aty duke bërë shaka me atë berberin, i thoja që më ul çik çmimin, duke bërë gallatë. Edhe i fshija qimet aty se s’doja të shkelja qimet e tjetrit. Se thonë gjoja gjynah se i dhemb koka. Edhe jam qethuar, jam rruajtur, kam ikur në shtëpi. Nga aty kam vajtur te kafja ku e kam me gjithë vëllain, një kafe të përbashkët kafe-lavazh.
Spartak Koka: Si e morët vesh që ka ndodhur ngjarja?
Talo Çela: E pashë në televizor. Unë e pashë në televizor në orën 3 e gjysëm, 4 pa ca, unë e pashë në televizor që ndodhi grabitja.
Spartak Koka: Policia thotë që ka prova që ju implikon ju në këtë ngjarje. Ndërkohë, kemi një dëshmi të Alkond Bengasit, dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë, i cili thotë që pasi Klementi ka lënë këtë automjet, Chevroletin me të cilin u krye grabitja.
Talo Çela: Nuk e di fare atë Chevrolet, nuk e njoh…
Spartak Koka: … dhe ky Chevrolet është modifikuar dhe është bërë Volksëagen në pjesën e parë.
Talo Çela: Ku u modifikua? Unë e kam servisin apo e kanë ata servisin?
Spartak Koka: Thotë “Eldi kishte shkuar në servis dhe kishte marrë automjetin tip Chevrolet me një karroatrec. Unë këtë fakt e mësova nga Eldi Çala. Dhe ai më ka thënë se automjetin e mori së bashku me shtetasin Talo Çela.
Talo Çela: Ok, shumë bukur. Eldin ta pyesin. Në qoftë se thotë Eldi që unë kam marrë me Eldin makinën, OK. Po ama e di që po rri në burg se po thotë Eldi. Po nuk ka shans të thotë Eldi të shpifi për mua. Eldi në qoftë se e ka marrë makinën të tregojë me cilin e ka marrë. Aty e ka Eldin, brenda janë të dy, të ballafaqohen. Në qoftë se Eldi thotë për mua që unë kam marrë makinën, OK! Nuk ka shans se nuk e kam marrë unë makinën me Eldin.
Spartak Koka: A keni marrë ju pjesë drejtpërdrejt në këtë grabitje?
Talo Çela: Fare, fare!
Spartak Koka: Po në mënyrë të tërthortë?
Talo Çela: E di çfarë më vjen çudi… Ai i ka kushërinj ata, unë po akuzohem për grabitje po s’kam marrë lekët. Thuaji Kontit, të më japi lekët të paktën se po bëj burg unë mos bëj burg pa lekët, në qoftë se ata paskan marrë pjesë me gjithë mend se unë nuk di gjë, as nuk ma kanë hapur si muhabet kurrë këta mua për punë grabitje. Si do bëj burg? Pse ka thënë Konti kështu? Unë s’kam takuar të marrë furgon me Eldin… Të ballafaqohet me Eldin, aty e ka, t’i thotë. Në qoftë se thotë ai, OK po bëj unë burg.
Spartak Koka: Çfarë njohje keni ju me Admir Muratajn dhe Ragip Hajdinin?
Talo Çela: Nuk i njoh fare si persona, nuk më ka pjek Zoti në asnjë cep të planetit me këta.
Spartak Koka: Po me Tanin dhe Oldin?
Talo Çela: Nuk i njoh fare këta!
Spartak Koka: Jeni i sigurt z.Çela?
Talo Çela: Po, shumë i sigurt jam! Nuk i njoh fare kush janë këta.
Spartak Koka: Më 19 Mars të këtij viti policia njoftoi për arrestimin e Klement dhe Eldi Çalës në zonën e Qerretit. Jeni informuar për këtë arrestim?
Talo Çela: Po e mora vesh.
Spartak Koka: Thuhet se ju keni arritur të shpëtoni për pak nga arrestimi? Keni arritur falë aftësive tuaja, nuk i di arsyet, t’i shpëtoni këtij arrestimi. Ju keni qenë në Qerret dhe i keni takuar këta persona.
Talo Çela: Ku kam qenë? Në Qerret?
Spartak Koka: Po!
Talo Çela: Që kam takuar unë këta persona?
Spartak Koka: Po!
Talo Çela: Edhe ku kam qenë unë, në ç’a vendi?
Spartak Koka: Në Qerret. Ku jeni takuar për herë të fundit me këta persona?
Talo Çela: Ne nuk jemi takuar fare më pas kësaj.
Spartak Koka: Nga viti 2015 janë mbi 5 grabitje. Keni marrë pjesë?
Talo Çela: Ore hiç asnjë.
Spartak Koka: Në 2015 në Qafë-Kashar është grabitur një blind…
Talo Çela: Fare, nuk i njoh hiç ato.
Spartak Koka: Në 2016, Aleks Pepa dyshohet bashkë me ju… E njihni Aleks Pepën?
Talo Çela: Në grabitjen e Rinasit unë kam qenë i akuzuar.
Spartak Koka: Të 2016?
Talo Çela: Të 2016! Kam qenë i akuzuar dhe kam qenë me Andi Liçaj, një administrator, dhe me një polic të zonës kemi ngrënë drek tek pishat.
Spartak Koka: Ditën e ngjarjes?
Talo Çela: Ditën e ngjarjes, dhe Andi Liçajt i erdhi në telefon. Po këto deklarata i kam dhënë në Durrës unë, më morën më çuan në Durrës mua.
Spartak Koka: Pse ju akuzuan juve pikërisht?
Talo Çela: Nuk e di pse.
Spartak Koka: E njihni Aleks Pepën?
Talo Çela: Nuk e njoh fare Aleks Pepën. Dhe po të shpjegoj. Kur ika te sufllaqet në Katund të Ri, në atë kohë, aty i zoti i sufllaqes, Tani, ore më tha qysh të morën ty. Nuk e di i thashë unë. Qenka dhe një tjetër Pepa. Ore tha, ka pas jetu një Pepa, tha. Ti e njihje atë tha, se unë të shihja dhe ti nuk flisje me atë tha. E pashë që ti nuk e njihje atë, të kam parë kur ke ardhur ti, kam parë kur ke ardhur ti këtu tha.
Spartak Koka: Pra ishte edhe ai në të njëjtin lokal?
Talo Çela: Jo jo ai ka fast-foodin e vetë. Më tregoi domethënë që unë e di që ti s’njihesh se të kam parë që ai s’të fliste ty tha.
Spartak Koka: U latë i lirë për ngjarjen e 2016?
Talo Çela: Më morën më çuan në Durrës. Dhashë deklaratat, kam qenë me policin e zonës, Ademi, policin e zonës, dhe administratorin Andi Liçi. I pyetën të dy, dolën fiks gjërat që i tregova unë. Edhe më lanë. Në orën 2 në darkë dola. Në darkë luante Gjermani-Francë, 2 me 0 për Francën. Kam parë ndeshjen, golin e dytë. Golin e parë kam qenë brenda. Më thanë ik në këmbë. Ika, mora në telefon erdhën më morën.
Spartak Koka: Po në 2017 të kanë thirrur prapë?
Talo Çela: Në asnjë vend. Mua që ma kanë thirrur, më kanë thërritur për Rinasin herën e parë. Deri sa ai Alkond Bengasi që thotë për mua, ai e di shumë mirë që unë jam thirrur për Rinasin. Edhe nëse kushërinjtë e tij, ai e di shumë mirë që unë jam thirrur për aeroportin e Rinasit.
Spartak Koka: Po në dijenin tënde, Klement Çala dhe Eldi Çala janë të përfshirë?
Talo Çela: Nuk di gjë. Nuk mund të flas një gjë që s’e kam parë me sytë e mi.
Spartak Koka: Po me të dëgjuar?
Talo Çela: Nuk e di. Nuk kam dëgjuar gjë fare. Sepse nuk i kam njohur përpara unë Çalajt. Unë Çalajt i kam njohur kur kanë marrë servisin e atij shokut dhe ky m’i ka prezantuar, Alkondi, nuk i kam njohur më përpara.
Spartak Koka: As në grabitjen e fundit të 2019, asnjëlloj roli s’keni pasur?
Talo Çela: Ç’punë kam me ta unë, nuk kam asnjë lloj shoqërie me shoqërinë e tij.
Spartak Koka: Po dreka dhe darka keni ngrënë me Admir Muratajn, Ragip Hajdinin, Klement Çalën, Tanin…
Talo Çela: Nuk i njoh ata… Murati, Hajdini, Olti nuk i njoh fare si fytyra.
Spartak Koka: Lekët e Rinasit kush i ka marrë?
Talo Çela: Nuk e di kush i ka marrë lekët e Rinasit.
Spartak Koka: Kush po i gëzon lekët e Rinasit?
Talo Çela: Nuk e di fare kush i ka marrë lekët e Rinasit. Ata që i kanë marrë, ata i gëzojnë. Kush i ka marrë, ai po i gëzon. Unë nuk e di fare këtë ngjarje. Unë nuk e kuptoj pse më implikojnë mua në këto ngjarje. Kush do të më fusi në burg me dhunë tani dhe po bën çmos që si e si të më fusi në burg mua. Për çfarë? Duan të më shkatërrojnë mua? /klanplus