Kryebashkiakja e një qyteti perëndimor të Meksikës është vrarë, vetëm 24 orë pas zgjedhjes së presidentes së parë femër Claudia Sheinbaum.
Sipas mediave të huaja, ajo u ekzekutua nga një grup personash me armë zjarrii, teksa ishte e shoqëruar nga truproja e saj dhe po hynte në një palestër pranë sheshit kryesor të Cotija.
Ajo u transferua në Spitalin Rajonal të Los Reyes, ku pak minuta më vonë u konfirmua vdekja e saj.
Qeveria e shtetit meksikan të Michoacan ka dënuar vrasjen e presidentes komunale të Cotija, Yolanda Sánchez Figueroa dhe njoftoi se ka nisur hetimet për të gjetur përgjegjësit për krimin.
Figueroa u rrëmbye në shtator të vitit 2023 në qytetin e Zapopanit, kur persona të armatosur i zunë pritë makinës së saj ndërsa ajo po ngiste.
Në atë kohë, u mësua se një nga organizatat kriminale aktive në Meksikë e kishte kërcënuar me vdekje Figueroa-n para rrëmbimit të saj.